Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të mërkurë se për momentin nuk ka asnjë plan mbylljeje për shkak të hyrjes në vendin tonë të variantit Omicron.
Megjithatë, siç është shprehur edhe më parë për të njëjtën çështje, kreu i qeverisë tha se disa masa do të ishte e arsyeshme të priteshin nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
“Lloji i ri i Covid është deklaruar që është gjendur. Për momentin nuk ka asnjë plan mbylljeje, por disa masa nuk do të ishte e paudhë t’i prisnim nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, disa masa… nuk mund të jemi vendi me lirinë më të madhe absolute dhe ndërkohë të ankohemi që po tentojmë të na venë maskën teksa varianti i ri përhapet gjithandej dhe spitalet mbushen. Disa masa do të ishte e arsyeshme të priteshin nga Komiteti Teknik i Ekspertëve”, tha Rama.
Rama: Rastet pozitive me Covid, 2 herë më shumë se sa javën që shkoi
Kreu i qeverisë foli fillimisht për rastet pozitive me Covid ku raportoi të dhënat e ditës së sotme. 1236 raste pozitive tha Rama, 2 herë më shumë se sa javën që shkoi. Sipas kreut të qeverisë kjo vjen si pasojë e efektit të festave, mungesës së masave dhe variantit të ri Omicron.
“Po shikoja të dhënat e sotme për atë që askush nuk ka dëshirë të dëgjoj, por ja që duhet dëgjuar. 1236 raste pozitive, 2 herë më shumë se sa javën që shkoi. Efekti i festave, efekti i mungesës së plotë të shtrëngimeve, shtrëngesave dhe patjetër, edhe efekti i variantit të ri, Omicron, që ka një shpejtësi shumë më të madhe sesa variantet e mëparshme në shtrirjen e kthetrave të infeksionit. 107 persona gjenden sot që flasim të shtruar në Infektiv. Janë fatkeqësisht plagë që në përqindjen dërrmuese të rasteve, mbi 95% lidhen me mosvaksinimin dhe duhet përsëritur për ata që duan të dëgjoj ë sigurisht dhe ka një pjesë që nuk duan të dëgjojnë dhe pastaj largqoftë gjenden në këtë virus madje ndërrojnë edhe jetë. Vetëm një përqindje shumë e vogël janë ata të vaksinuarit por të cilët kanë mundësi ta kalojnë pa probleme, përgjithësisht me ndonjë përjashtim të rrallë kur kanë sëmundje të rënda”.
Duke i kthyer përgjigje qytetarëve kreu i qeverisë tha se vaksinimi nuk është me detyrim. Rama tha se do u drejtohet një pyetje shqiptarëve si pasojë e Këshillimit Kombëtar për përdorimin e “green pass” edhe në vendin tonë.