Izraeli ka vijuar sulmet ajrore ndaj Bejrutit në Liban, për të goditur vendstrehimet e Hezbollahut.
Reuters raporton se në orët e para të së shtunës, një valë sulmesh ajrore izraelite goditën periferitë jugore të Bejrutit. Sipas dëshmitarëve, janë dëgjuar më shumë se 20 sulme.
Sulmi vjen pas atij të një ditë më parë ndaj qendrës komanduese të lëvizjes së Hezbollahut që mbështetej nga Irani. Ky sulm mesa duket kishte në shënjestër liderin Hassan Nasrallah.
Banorët e zonave periferike të Bejrutit braktisën shtëpitë e tyre dhe dolën nëpër sheshe, parqe në qendër të qytetit, por dhe në zonat bregdetare. Ata akuzuan Izraelin për shkatërrim.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite njoftoi se rreth 10 predha ishin lëshuar nga territori i Libanit drejt Izraelit në orët e hershme të së shtunës. Predhat ishin kapur nga sistemi ajror mbrojtës izraelit.
Përshkallëzimi i fundit i luftimeve në Liban duke goditur bazat e Hezbollahut nga Izraeli ka rritur frikën se konflikti mund të dalë jashtë kontrollit, duke tërhequr potencialisht Iranin si mbështetës i Hezbollahut, dhe SHBA-në nga ana tjetër.