Kryesore Varhelyi iu flet shqiptarëve nga Parlamenti: E ardhmja është në BE, interesi...

Varhelyi iu flet shqiptarëve nga Parlamenti: E ardhmja është në BE, interesi jonë strategjik t’ju sjellim më afër

Komisioneri europian për zgjerimin, Oliver Varhelyi iu është drejtuar shqiptarëve me një mesazh nga foltorja e parlamentit menjëherë pas mbërritjes në Tiranë për një vizitë zyrtare pas prezantimit të Progres-Raportit.

Varhelyi premtoi se Komisioni Europian do qëndrojë pranë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do punojë fort që vendet e rajonit të jenë shtete anëtare të BE

“Më vutë në një pozitë të vështirë së pari sepse më dhatë një vend ku besoj se duhet të ulen monarkët dhe unë nuk jam i tillë. Është nder. Dëshiroj që të përçoj një mesazh të qartë që do ta sjellim këto ditë në Ballkanin Perëndimor. Ne do ju qëndrojmë pranë, jemi me ju e do jemi me ju, do punojmë fort që të jeni shtete anëtare të BE. Ballkani Perëndimor ka qenë përparësi për këtë komision. Që prej ditës së parë që filluam punë kemi qenë të angazhuar për të sjellë rezultatet. E ardhmja e gjithë rajonit është në BE dhe interesi jonë strategjik t’ju sjellim më afër. Sa i përket dy objektivave të para ne kemi marrë disa masa të rëndësishme”, tha Varhelyi.

Duke iu referuar raport-progresit, Varhelyi tha se vendi ka bërë përparim vendimtar dhe është pranë përmbushjes së gjitha kushteve që duhen para konferencës ndërqeveritare. “Përgëzoj institucionet e vettingut dhe ONM. Janë hapur proceset për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Është përfunduar krijimi i trupave të reja.

Reforma zgjedhore është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare. Vijimësia e këtyre reformave nga ana e Shqipërisë do jetë e rëndësishme për kuadrin negociues. Institucionet duhet të punojnë me njeri-tjetrin. Shqipëria ka kaluar një periudhë të vështirë, tërmeti dhe kriza e COVID-it. Ne ju kemi qëndruar pranë dhe vazhdojmë të qëndrojmë pranë jush.

Ne jemi në atë moment kyç, në atë moment që Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë BE-së. Kontributi juaj është kyç dhe me vendosmëri për të ardhmen, le ta marrim atë hap tjetër për të ardhmen e Shqipërisë”, deklaroi komisioneri Varhelyi.