Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka bërë kritika në adresë të Greqisë që ka bllokuar në Bruksel hapjen e kapitujve për Shqipërinë në kuadër të rrugës drejt anëtarësimit.
Nga Tirana ku u mbajt samiti BE-Ballkani Perëndimor, Varhelyi tha se fqinjësia e mirë mes shteteve është e rëndësishme, por theksoi se nuk mundet të krijohen marrëdhënie të mira duke bllokuar shtetin fqinj, një kritike kjo direkte për Greqinë.
“Hapat tuaja e kanë treguar se çfarë keni arritur. Nuk mendoj se ka në Bruksel njerëz që nuk bien dakord për këto arritje të Shqipërisë. Ne jemi të dakordësuar në Bruksel për faktin që Shqipëria është gati për të hapur negociatat për grupkapitullin e parë dhe BE do duhet që të ketë mundësinë ta marrë këtë vendim. Sado teknik që është si proces dhe që është thjesht hapi i radhës, nuk e kuptoj dot pse nuk e marrim dot ne këtë vendim.
Edhe pse e kuptoj rëndësinë e fqinjësisë së mirë, por nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të mira me fqinjin nëse e bllokon tjetrin të ecë përpara. Gjithsesi, ne po përpiqemi të ndihmojmë dhe shpresoj shumë që në muajin në vijim do të kemi atë takimin ose konferencën tjetër ndërqeveritare në mënyrë që të kalojmë te negociatat e vërteta sepse ne dëshirojmë që të hapim negociatat për grupkapitullin e parë që janë të drejtat themelore, sundimi i ligjit dhe ndoshta aty mund t’i diskutojmë këto të drejta themelore në mënyrë të gjerë pasi të jenë hapur vetë negociatat”, u shpreh Varhelyi.
Në nëntor, Greqia bllokoi Shqipërinë në BE për të hapur grupkapitujt e parë të negociatave duke mos nënshkruar letrën e përbashkët të 27 vendeve anëtare, që në fakt kërkohej mbështetje unanime. Bllokimi nga Greqia u bë për shkak të Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili është i arrestuar për blerje votash.
Greqia kërkon betimin e tij nga qelia, por Gjykata e Posaçme (GJKKO) nuk e ka lejuar. Nga ana tjetër, për këtë çështje Kryeministri Rama është përgjigjur duke thënë se qeveria shqiptare nuk ndërhyn në punët e drejtësisë.