Kulturë Variacionet e autoportretizimit dhe imazheria në poezi

Variacionet e autoportretizimit dhe imazheria në poezi

1- Parantezë fillestare

Këto ditë më arriti në adresën time në Edmonton të Kanadasë libri me poezi “Në gardhin e qerpikëve më rrjedhin lotët”, SH.B. EDLORA, Tiranë, 2023 i autorit tepelenas Çerçiz N. Myftari. Fillimisht, kur autori më pyeti në messenger për adresën time postale me qëllim të dërgimit të librit të tij më të ri, me falenderim për gatishmërinë e tij, por edhe me keqardhje për çmimin relativisht të lartë të shërbimit postar, iu luta, që librin të ma jepte gjatë verës, kur të kthehesha në  atdhe apo në Shqipërinë natyrale, mirëpo ai nuk hamendësoi fare. Tani librin e kam në dorë dhe do ta lexoj në mënyrën time. Nuk do të merrem fare me strukturimin formal të librit, por vetëm do t’i lexoj poezitë për herë të parë të gjitha, ndërsa disa prej tyre do t’i lexoj dy apo më shumë herë sipas nevojës sime. Një lexim të tillë ma imponon kultura e të lexuarit si mjeshtri në vete, por edhe respekti për vlerat e një poeti, i cili pa fajin e tij trajtohet si poet lokal nga elita letrare e Tiranës, ndërsa nga ajo e Prishtinës nuk njihet fare edhe pse është një zë i artikuluar mirë në poezinë bashkëkohore shqiptare.

Ky shkrim nuk ka pretendime për të thënë gjithçka për poezinë e Çerçiz N. Myftarit në këtë libër, por për të vënë në spikamë tiparet kryesore dhe vlerat e padiskutueshme estetike të saj përmes leximit interpretues të vetëm tri poezive të këtij libri, të cilat mund të jenë ekzemplarë reprezentues.

2- Autoportretizimi

Termi autoportret vie nga frëngjishtja dhe nënkupton pikturimin e vetvetes (vetëm të kokës apo të kokës së bashku me pjesën e sipërme të krahërorit). Autoportreti i parë, që njihet deri më sot është i vitit 1443. Autoportretet e shumta të Rembrantit e legjitimuan autoportretin si formë artistike me forcë të madhe shprehëse. Termi “autoportret” dhe derivati i tij “autoportretizim” në fushën e letërsisë e kanë pasuar termin “portret” dhe derivation e tij “portretizim”, të cilët kanë përdorim më të gjerë në fushën e letërsisë dhe shkrimit diskursiv për letërsinë. Ashtu si në pikturë edhe në letërsi e sidomos në poezi autoportreti mund të jetë edhe pjesë e tabllove me më shumë figura në mesin e të cilave spikat edhe portreti i vet autorit.

Në letërsinë shqiptare dhe atë botërore ekzistojnë një numër i konsiderueshëm poetësh, të cilët kanë shkruar autoportretin e tyre dhe të shumtën e rasteve e kanë titulluar “Autoportret”. Mirëpo ekziston një numër shumë më i madh poetësh, të cilët kanë shkruar poezi të shumta në të cilat e kanë portertizuar vetëm vetveten apo vetveten në kontekste të ndryshme njerëzore me më shumë apo më pak njerëz. Pa marrë parasysh se a titullohet apo nuk titullohet një poezi e tillë me emrin “autoportret”, ajo është autoportret poetik çdo herë, kur folësi apo heroi lirik në poezi flet në veten e parë, do të thotë flet për vetveten. Kjo metodë e autoportretizimit në poezi, por edhe në prozë ka një përdorim të gjerë.

Poeti Çerçiz N. Myftari me profesion është mjek-pediatër dhe pesëdhjetë vjet ka shërbyer në kushte shumë të vështira për ta mbrojtur shëndetin e popullit, kryesisht në trevën e vendlindjes së tij Tepelenë-Memaliaj. Duke qenë i udhëhequr nga vetëdija për misionin e rëndësishëm të mjekut, ky autor edhe në fushën e poezisë, por edhe të letërsisë në tërësi, të cilën e ka pasur vokacion dhe e ka edhe sot në moshën tetëdhjetekatërvjeçare. Ka hyrë i veshur me kostumin e misionit, por talenti i tij i jashtëzakonshëm për poezinë nuk ka pranuar të dorëzohet nga misioni, prandaj në qenien e tij kanë bashkekzistuar herë si kundërshtarë e herë si miq të mirë misioni dhe vokaioni poetik. Në raste të caktuara vokaioni poetik me erupionet emocionale dhe estetike kanë shpërthyer ose në tërë poezinë ose në ndonjë pjesë më të vogël apo më të madhe të saj duke krijuar edhe një figuracion të ri e të freskët personal, i cili e shquan këtë poet nga poetët, të cilët duke mos pasur aftësinë për të krijuar metaforikë të re dhe funksionale vazhdojnë të përdorin metaforikën e shpenzuar apo “të vdekur” (Georg Orwell) nga stërpërdorimi.

3- Autoportreti i autorit brenda tablosë me shumë njerëz

Poeti Çerçiz N. Myftari ka shkruar mjaft poezi në të cilat e portretizon vetveten në kontekste të ndryshme. Njëri nga kontekstet e autoportretizimit është ai i misionit për të kontribuar në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, i cili gjithmonë renditet si prioritet i parë. Modeli më domethënës i autoportretit të misionit, kur autori e portretizon veten në plan të parë ndërsa prezenca e të tjerëve është diku në sfond. Për të kuptuar se sa komplekse janë autoportretet poetike të Çerçiz N. Miftarit po ezgjedhim për interpretim poezinë “Trokitje në derën e apartmentit tim” (f.71). Kur e lexojmë me vëmendje këtë poezi shtatëmbëdhjetëvargjëshe gjejmë 12 imazhe, pra e tërë poezia është e ndërtuar nga imazhet, të cilat paraqesin një nga figurat me potencë të madhe shprehëse. Në respekt të leuesit, besoj se më lejohet ta shpjegoj telegrafisht termin “imazh” në poezi. Me këtë term nënkuptojmë një fjalë apo një grup fjalësh, të cilat shprehin një përvojë tonën shqisore. Nëqoftëse shpreh diçka të shikuar me sy kemi të bëjmë me imazhëri vizuale ose e të parit, kur përvoja jonë përjetohet përmes zërit atëherë bëhet fjalë për audio imazhërinë apo imazhërinë dëgjimore (tingullore). Imazhëria mund të jetë edhe e prekjes (taktile), e nuhatjes (aromatike), e shijes, e ndieshmërisë trupore: dhimbjes, etjes, temperaturës (ftohtë, nxehtë) etj.

TROKITJE NË DERËN E APARTMENTIT TIM

Trokitjet te dera, të pandërprera, të forta…

Bori e alarmit më thërret mua…

Në jam në gjumë, brof

Në jam duke ngrënë,

Lë lugën në pjatë.

Në jam duke shkruar,

Stilolapsin e flak…

Rend.në këmbë apo në autoambulancë,

Rrugëve të qytetit a të fshatit,

Me gurë e me baltë.

T’i jap të sëmurit ndihmën e parë.

Kur kthehem në shtëpi,

(ndonjëherë edhe me plagë,)

Lirikat që m’u trembën,

Si tufa zogjsh,

Çuçurijnë, çuçurijnë…

Mos kanë çerdhe shpirtin tim?

Në dy vargjet e para të kësaj poezie e kemi nga një audio imazh (dëgjimor) 1. ”Trokitjet e forta e të pandërprera te dera” dhe 2. “Buria e alarmit më thërret mua”. Në vargun e tretë kemi një imazh vizual (Në jam në gjumë, brof), ndërsa në vargjet 4 dhe 5 kemi një imazh visual të shtrirë në dy vargje (Në jam duke ngrënë/ lë lugën në pjatë). E njëjta gjë ndodhë edhe në vargjet 6 dhe 7 (Në jam duke shkruar/ stilolapsin e flak…). Në vargjet 8, 9,10 dhe 11 janë dhënë katër imazhe vizuale, të cilat nuk janë lineare por të gërshetuara njëri me tjetrin dhe kjo ka ndodhur me qëllim të dendësimit të shprehjes. Kur zbërthehen duken kështu: 1. “Rend në këmbë rrugëve të qytetit me gurë e me baltë”, 2.” Rend në këmbë rrugëve të fshatit me gurë e me baltë”, 3. Rend me auto ambulancë rrugëve të qytetit me gurë e me baltë” dhe 4. “Rend me auto ambulancë rrugëve të fshatit me gurë e me baltë”. Imazhi vizual “T’i jap të sëmurit ndihmën e parë” është imazhi vizual në vargun 12 dhe shpreh qëllimin se pse ndodhë e gjithë ajo, që shprehet në imazhet pararendëse. Në gjashtë vargjet e fundit edhe pse duket se është dhënë vetëm një imazh në të vërtetë janë dy imazhe të gërshetuara njëri me tjetrin dhe të dyja janë imazhe audiovizuale. Të zbërthyera duken kështu: 1. “Kur kthehem në shtëpi/ ndonjëherë pa plagë/ lirikat që m’u trembën, si tufa zogjsh,/ çuçurijnë, çuçurijnë…/ Mos kanë çerdhe shpirtin Tim?”, 2.“Kur kthehem në shtëpi/ ndonjëherë me plagë/ lirikat që m’u trembën, si tufa zogjsh,/ çuçurijnë, çuçurijnë…/ Mos kanë çerdhe shpirtin Tim?”. Siç po shihet poezia mbyllet me përemrin pronor “Tim”, por përkundër rregullave drejtshkrimore ky përemër është shkruar me shkronjë të madhe. Ekspertët gjuhësorë e lejojnë këtë përjashtim të rregullave gjuhësore, kur ndodhë për qëllime stilistike. Një veprim i tillë i autorit të kësaj poezie sikur i thotë lexuesit me zë të lartë: “Ky është autoportreti im poetik”!

4- Autoportreti i poetit përballë portretit polifonik të poezisë

Në poezinë e titulluar “Poezia” (f. 70) poeti Çerçiz N. Myftari dialogon me poezinë, e cila në katër vargjet e para është antropomorfizuar dhe vjen pa trokitur në qilimin e poetit shtruar me letra. Megjithatë, në dy raste, kjo poezi e antropomorfizuar bën metamorfozë dhe shndërrohet herën e parë në zog, ndërsa herën e dytë shndërrohet në valë, për t’u kthyer prapë në formën e antropomorfizuar si femër e bukur (e nënkuptuar) në vargjet tjera. Në këtë poezi katërmbëdhjetëvargjëshe autori ka krijuar 11 imazhe vizuele secili më i bukur e më shprehës se tjetri dhe një përfundim të fuqishëm, i cili, sikur e bind lexuesin se edhe pas përfundimit të poezisë, objekti dhe subjekti i kësaj poezie është i përjetshëm: “Dashuri, magji, a çfarë je,/ që rend pas teje edhe sot që jam plak?!”

5- Përfundimi me imazhin e syve të kaltër të fëmijëve kosovarë

Në kontekstin e treshes reprezentuese do ta vendosim edhe poezinë “Në sytë e fëmijëve kosovarë” (72-73), e cila në lexim të parë e të shpejtë apo pa ia pas lëshuar “syrin e mendjes” (Shekspir) duket e thjeshtë dhe deklarative sepse nuk ka metafora të lodhshme e të largëta në kuptimin bazik të kritereve të fenomenit të krahasueshmërisë mbi të cilin ndërtohen ato. Por, e lexuar me vëmendje edhe kjo poezi është një autoportretizim i autorit të veshur me mantilin e bardhë të mjekut dhe i vendosur në mesin e fëmijëve kosovarë në kohën e dëbimit të mbi 800.000 shqiptarëve nga Kosova. Kjo poezi është e ndërtuar nga tri imazhe, të cilat, për ndryshim prej atyre të dy poezive tjera, të analizuara më parë, janë imazhe më të zgjeruara. Imazhi i parë shtrihet në pesë vargjet e para dhe është audio-vizual: “Bashkë me uturimat e avionëve të NATO-s/ hynin te dera, nëna të ngarkuara me foshnja/ dhe pluhurin e vendlindjes/ në këmbët e zhvoshkura.” Në këtë imazh është dhënë drama e Kosovës e vitit 1999 me tërë tragjikën ekzisteniale të popullit të Kosovës. Imazhi i dytë i kësaj poezie është gjithashtu audio-vizual dhe shtrihet në tri vargjet pasuese të kësaj poezie: “Me shpirtin tim të drithëruar,/ ata që i zbuan, mallkoja…/ Fëmijët e sëmurë vizitoja”. Derisa në imazhin pararendës dëgjoheshin uturimat e avionëve të NATO-s dhe shiheshin nënat kosovare me këmbët e tyre të zhvoshkura, të cilat ishin të ngarkuara me foshnja, në këtë imazh shihet dhe dëgjohet duke mallkuar mjeku-poet, i cili me shpirt të drithëruar fëmijët e sëmurë viziton. Në imazhin e tretë i shohim sytë e kaltër të fëmijëve kosovarë brenda të cilëve notonte dhembja dhe mjaftonin vetëm pak ledhe të lëshonin vështrime të ëmbla. Këtu përfundon egzegeza e imazhit të tretë apo përfundimtar të poezisë “Në sytë e fëmijëve kosovarë”, por nuk përfundon ajo që sugjeron ky imazh e me termin sugjerim në letërsi nënkuptojmë nëntekstin, i cili nganjëherë thotë më shumë se vet teksti. Për të ndodhur një gjë e tillë duhet t’i drejtohemi çelësit semantik, i cili në këtë poezi është vargu i nëntë apo i pari në imazhin e tretë “Ç’kishin ca sy të kaltër!”. Kumti për sytë e kaltër të fëmijëve kosovarë është shprehur me një fjali habitore dhe një gjë e tillë nuk është e rastit. Sytë e kaltër te shiptarët e Kosovës janë tipar i trashëguar nga raca iliro-dardane. Ruajtja e këtij tipari gjenetik në Kosovën e pushtuar me shekuj nga pushtues të egër të ardhur nga Azia (serbët mesjetarë,otomanët, përsëri serbët shovenistë) dëshmon se çfarë sakrificash ka bërë populli i saj për ta ruajtur qenien e vet të formuar, që nga gjeneza. Habitorja në këtë rast për më shumë shpreh dashuri deri në adhurim. Sytë e kaltër në këtë kontekst po m’i kujtojnë romanet “Kështjella” të Ismail Kadaresë dhe “Skënderbeu” të Sabri Godos. Në të dy këto romane sikur në kontekstin tonë përmenden sytë si tipar karakteristik i racës ilire. Sytë e kaltër e flokët e verdha, përmenden nga personazh Kryeveçilharxhi në romanin “Kështjella” të Kadaresë në një kontekst shumë domethënës, ndërsa sytë e gjelbër të Skënderbeut në romanin e Sabri Godos me të njëjtin titull vihen në spikamë disa herë nga narratori i nënkuptuar: “Skënderbeu e shikoi fushën e betejës me sytë e tij të gjebër”.

 

KADRUSH RADOGOSHI

Edmonton, Kanada