Variant i ri i Covid-19 që po përhapet me shpejtësi në shumë vende të botës nuk është evidentuar ende në Shqipëri.
Eugena Tomini, shefja e survejancës dhe shërbimit të inteligjencës epidemike në ISHP deklaron se mes mostrave të analizuar është izoluar vetëm Covid-19 dhe nuk ka patur asnjë rast të dyshimtë që t’i drejtohen laboratorëve të referencës për të verifikuar nëse bëhet fjalë për variantin e ri apo jo.
“Diagnoza laboratorike kryhet në ISHP, dhe është një diagnozë molekulare, pcr që jemi mësuar tashmë dhe nëse përcaktohet një genome ndryshe nga genoma përcaktuese nëpërmjet testit të PCR për Covid-19 mostra e dyshimtë çohet në laboratorin e referencës në Berlin dhe Londër, ndaj themi që deri në këto momente nuk kemi diagnostikuar asnjë genome ndryshe dhe themi se nuk kemi dedektuar asnjë rast të ri të mutacionit të Covid-19”, tha Tomini për Tv Klan.
Java e fundit ka shënuar ulje të rasteve të reja me koronavirus krahasuar me fillimin e dhjetorit. Ekspertët parashikojnë që situata të vijojë njëlloj dhe në fillim të 2021.
“Është një situatë e qëndrueshme të gjithë trendit të Covid në vend, parashikojmë që në javët e para të janarit të vazhdojmë me të njëjtën qëndrueshmëri vetëm se duhet të respektojmë masat e distancimit”.
Ekspertët bëjnë thirrje që të zbatohen masat e distancimit dhe maska për të mos shtuar rastet e infektimeve.