Një variant i ri i koronavirusit është zbuluar në Brazil. Ky variant mund të infektojë ata që e kanë kaluar njëherë Covid-19.
Për këtë arsye, Mbretëria e Bashkuar ka ndaluar të gjitha udhëtimet nga Amerika e Jugut dhe Portugalia. Kufizimi, i cili u vu në fuqi mëngjesin e së premtes, nuk përfshin shtetasit britanikë, irlandezë, apo ata që kanë leje qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar, tha ministri i transportit, Grant Shapps.
Shtetasit dhe rezidentët të cilët kthehen nga udhëtimi duhet të izolohen për dhjetë ditë.
Shoferët e transportit të mallrave nga Portugalia që udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar gjithashtu përjashtohen nga kufizimi.
Shapps e justifikoi përfshirjen e Portugalisë në këtë masë parandaluese për shkak të “lidhjeve të rëndësishme që ky shtet ka me Brazilin”.
Ministri i Jashtëm i Portugalisë, Augusto Santos Silva, e quajti vendimin e fundit të Britanisë si “absurd” dhe “pa logjikë” gjatë një interviste për gazetën “Diario de Noticias”.
Ai tha se nuk kishte asnjë provë se në Portugali qarkullon varianti i koronavirusit. Varianti i ri u identifikua tek personat që kishin mbërritur në Japoni nga Brazili.
Shkencëtarët thonë se ai është i ndryshëm nga varianti i zbuluar në Angli, i cili detyroi shumë shtete në botë të ndërmerrnin masa kufizuese ndaj udhëtimeve me Mbretërinë e Bashkuar.
Mutacioni që ka pësuar virusi mbart ndryshime që e ndihmojnë atë t’i shmanget sistemit imunitar. Shkencëtarët paralajmëruan se është konstatuar një “rritje e shpejtë” e rasteve në vendet ku shkalla e mëparshme e infeksionit mendohej të ishte shumë e lartë.
Shkencëtarët thonë se varianti brazilian është shqetësues pasi ngjan me mutacionin N501, varianti që u regjistrua në Britani, i cili besohet se e ka rritur transmetueshmërinë midis 50 dhe 77 për qind.