Bota Varianti i ri i koronavirusit zbulohet edhe në Suedi

Varianti i ri i koronavirusit zbulohet edhe në Suedi

Varianti i ri i koronavirusit që po qarkullon në Britani u zbulua edhe në Suedi. Një udhëtar nga Mbretëria e Bashkuar u sëmur pas mbërritjes në Suedi dhe rezultoi pozitiv, tha të shtunën Agjencia Suedeze e Shëndetësisë.

Zyrtarët thanë se udhëtari, i cili nuk është identifikuar me emër, është mbajtur i izoluar pas mbërritjes në Suedi dhe se deri tani nuk është zbuluar asnjë rast tjetër pozitiv.

Në Francë, ministria e shëndetësisë tha të premten se një francez i cili kohët e fundit kishte mbërritur nga Londra ishte testuar pozitiv për variantin e ri të virusit.

Varianti i ri, i cili është përhapur me shpejtësi në Anglinë e Jugut, mendohet të jetë më ngjitës se të tjerët që janë në qarkullim.

Disa vende të Bashkimit Europian vendosën kufizime për udhëtarët nga Britania mes shqetësimeve rreth variantit të ri të virusit.

Duke filluar nga e hëna, qeveria amerikane do të kërkojë që të gjithë pasagjerët e linjave ajrore që nisen nga Mbretëria e Bashkuar të testohen për koronavirus 72 orë para nisjes.