Aktualitet Varianti i ri më agresiv, a do të ndikojë fushatë? Flet Manastirliu

Varianti i ri më agresiv, a do të ndikojë fushatë? Flet Manastirliu

Janë 28 raste riinfektimi me Covid-19 sipas ekspertëve në Shqipëri. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tregoi këtë të enjte se cili quhet rast infektimi pasi sipas saj ka disa kritere që një person të quhet i tillë.

“Kemi disa të dhëna riinfektimesh. Ka një kriter se çfarë quhet një riinfektim. Rrinfektim quhet ai rast, i cili infektohet 3 muaj pasi është konfirmuar njëherë pozitiv, është konfirmuar negativ me tampon dhe riinfektohet sërish, por përgjatë periudhës së shërimit nuk ka manifestuar shenja të sëmundjes ose post Covid. Ne në Shqipëri deri më tani në rastet e konstatuara nga ekspertët kemi 28 raste”, tha ministrja.

Ditën e sotme në vendin tonë u konfirmua nga Komiteti Teknik i Ekspertëve varianti britanik i Covid-19. Ministrja Manastirliu tha se mutacioni ka një agresivitet të shtuar.

“Duhet të kuptojmë që jo vetëm që rastet janë shtuar, transmetureshmëria është rritur, por duhet të kuptojmë që varianti i ri ka një agresivitet të shtuar sa i përket sëmundjes. Ka disa indikatorë”, tha Manastirliu.

A do të ndikojë mutacioni i ri fushatën?

Këtë të enjte u konfirmua në Shqipëri se ka hyrë mutacioni britanik i Covid-19. Ekspertët janë shprehur se ky mutacion është më i transmetueshëm, ndërkohë që ministrja Ogerta Manastirliu u shpreh se ka edhe një agresivitet më të shtuar.

Por ky mutacion zbulohet në prag të zgjedhjeve të përgjithshme që pritet të zhvillohen më 25 Prill. Ministrja Manastirliu iu përgjigj pyetjes se çfarë pritet të ndodhë me fushatën elektorale.

Ajo i bëri thirrje partive që të zbatojnë rregullat, ndërsa theksoi se Komiteti Teknik i Ekspertëve do të marrë në shqyrtim situatën.

“Të gjithë forcat dhe partitë politike të tregohen të kujdesshme për të zbatuar rregullat dhe masat në fushatë elektorale. Komiteti Teknik është duke marrë në shqyrtim të gjithë situatën, ka vlerësuar numrin e rasteve në spitale, në incidencën dyjavore kemi një ulje të lehtë, kemi një qëndrueshmëri në raport me kapacitetet spitalore dhe përqindja e rasteve të fataliteteve”, tha Manastirliu.