Bota Varianti Omicron, Biden: Shkak për shqetësim, por jo për panik

Varianti Omicron, Biden: Shkak për shqetësim, por jo për panik

Presidenti Joe Biden po përpiqet të qetësojë amerikanët në prag të festave të fundvitit, pak ditë pasi varianti Omicron, u zbulua edhe në Kanada. Ai tha se, për momentin, izolimi i ri nuk është i nevojshëm, nëse qytetarët janë të vaksinuar dhe mbajnë maskat.

“Ndërsa do të duhen javë para se të mësojmë gjithçka duhet, doktor Fauci dhe ekspertë të tjerë besojnë se vaksinat do të vazhdojnë të ofrojnë një lloj mbrojtjeje kundër sëmundjes së rëndë. Si masë shtesë, ju lutem mbajeni maskën kur jeni në ambiente të mbyllura”, tha Biden.

Biden shtoi se kompanitë farmaceutike po bëhen gati për krijimin e vaksinave të reja, nëse do të jetë e nevojshme. Raste me koronavirus janë zbuluar në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara ndaluan udhëtimet nga 8 vende të Afrikës Jugore.

Sipas Biden, është çështje kohe para se virusi të identifikohet edhe në SHBA.

Por ndërsa presidenti u bëri edhe një herë thirrje amerikanëve të mbajnë maska, ai u vu në shënjestër të kritikave, pasi shpërfilli rregullat e vendosura prej tij.

Biden u fotografua pa maskë në fytyrë, teksa qëndronte brenda një dyqani ku ishte vendosur shenja që u kërkon klientëve të mbajnë maskë.