Në një kohë që shefi i Modernas, Stéphane Bancel ka shprehur hapur dyshime në lidhje me efektivitetin e vaksinave aktuale të mARN kundër variantit Omikron, shefi i BioNTech-ut, Ugur Sahin është shumë më optimist.
Shefi i BioNTech-ut, Ugur Sahin pret që vaksina aktuale kundër Covid-19 e prodhuesit nga Mainzi dhe partnerit të saj Pfizer të jetë gjithashtu në gjendje të mbrojë nga rrjedhat e rënda të sëmundjeve me variantin e ri Omikron. Në fund të fundit, Omikron nuk është varianti i parë i koronas që është shfaqur, tha Sahin-i në Mainz përpara dhënies së një çmimi atij dhe gruas së tij.
E gjitha varet nga vaksinimi i tretë
“Ne e konsiderojmë të mundur që të vaksinuarit të kenë mbrojtje të konsiderueshme kundër sëmundjeve të rënda të shkaktuara nga Omikron,” tha Sahin për agjencinë e lajmeve Reuters. “Ne besojmë se kjo mbrojtje do të jetë edhe më e theksuar kur njerëzit të marrin vaksinën e tretë”.
Më parë, Sahin-i kishte bërë komente të ngjashme në “Wall Street Journal”: askush nuk duhet të humbasë durimin për shkak të Omikronit, ajo që ka rëndësi tani është që t’u japim të gjithëve sa më shpejt që të jetë e mundur vaksinime të treta.
Vaksinë e re BioNTech në zhvillim
Sahin tha për Wall Street Journal se pas vaksinimit, trupi prodhon antitrupa dhe qeliza T që përdoren për mbrojtjen imunitare. Nëse varianti i koronavirusit është më i aftë të pengojë antitrupat, vjen radhe e qelizave T për të mbrojtur kundër përparimit të rëndë të sëmundjes. Është e vështirë të përfytyrohet se një variant mund të neutralizojë dy mekanizmat mbrojtës.
Megjithatë, prodhuesi i vaksinave në Mainz po punon, përveç testeve të vazhdueshme laboratorike për të studiuar variantin e ri të koronas, për zhvillimin e një vaksine të përshtatshme – si masë parandaluese në rast se është e nevojshme. Rezultate të para ende nuk ka, tha shefi i firmës.
Shitje paniku pas deklaratave të Modernas
Deklaratat pothuajse të qeta të shefit të BioNTech kontrastojnë ashpër me deklaratat e fundit të Stéphane Bancel. Dje, shefi i grupit farmaceutik amerikan Moderna i trembi bursat botërore me komente skeptike dhe shkaktoi shitje në panik. Investitorët shprehën frikë se Omikron-i do të shkaktonte kufizime të mëtejshme masive në jetën ekonomike. DAX humbi 1.2 për qind në 15,100 pikë.
Banceli i pati thënë gazetës “Financial Times” se për shkak të mutacioneve të shumta të variantit Omikron, shkencëtarët prisnin një “ulje të konsiderueshme” të efektit mbrojtës. “Unë mendoj se do të ketë një pakësim të madh. Por nuk e di se sa, sepse duhet të presim të dhënat. Por të gjithë shkencëtarët me të cilët kam folur janë të mendimit se ‘nuk do të jetë mirë’.
Çështje javësh – apo muajsh
Kompania e tij padyshim që tashmë ka filluar punën për një vaksinë të rishikuar, sipas Bancel. Por ka të ngjarë të kalojnë muaj përpara se prodhuesit të mund të prodhojnë sasi të mjaftueshme të vaksinave të përshtatshme.
Fakt është se vetëm për dy javë, pritet të dihet më shumë për efektivitetin e vaksinave ekzistuese nga të dyja kompanitë – Moderna dhe BioNTech. Sipas drejtorit të Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA), Emer Cooke, duhen dy javë për të zbuluar nëse vaksinat aktuale kundër Covid-19 mund të përballojnë variantin e ri të koronavirusit, raporton DW.