Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, në një konferencë për mediat, ka bërë të ditur se varianti i ri i COVID-19 është paraqitur edhe në Kosovë.
Zemaj ka thënë se 35 nga mostrat e dërguara në laboratorin në Berlin, tri prej tyre janë pozitivë me variantin e ri të COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë identifikuar 342 raste pozitive me koronavirus, ndërkohë që janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Deçan 1 rast (68 vjeç), Ferizaj 1 rast (75 vjeç), Gjilan 1 rast (64 vjeç), Mitrovicë 1 rast (69 vjeç) dhe Prishtinë 1 rast (64 vjeç).
Dy ditë më parë Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut konfirmoi regjistrimin e rastit të parë të variantit britanik të COVID-19 në RMV.
Gjatë analizës së testeve pozitive të janarit në klinikën private “Zhan Mitrev”, testi i njërit prej pacientëve rezultoi mutacion me karakteristikat e variantit britanik.