Numri i emigrantëve ilegalë shqiptarë shënoi rritje gjatë vitit 2018 në shtetin fqinj, duke u renditur si vendi i dytë me shifrat më të larta pas Marokut. Krahasuar me një vit më parë, numri i emigrantëve ilegalë është rritur me gati 30%, (nga 2330 në 2017-n në 3025 në 2018-n) shkruan media italiane Il Sole 24.
Pjesa më e madhe e tyre, sipas analizës së publikuar, i përkasin grupmoshës 17-34 vjeç, me rreth 1920 individë të identifikuar sipas të dhënave të publikuara. Për grupmoshën më të mëdhenj se 35 vjeç janë identifikuar 1100 emigrantë shqiptarë që qëndrojnë në mënyrë ilegale.
Sipas Agjencisë Europiane të Statistikave (Eurostat), janë gjetur 27,000 emigrantë ilegalë në Itali në vitin 2018, rreth 10 mijë më pak krahasuar me 2017. Pjesa më e madhe e tyre ishin meshkuj, të rinj midis 18 dhe 34 vjeç me origjinë kryesore nga Maroku, Shqipëria dhe Tunizia.
Sipas vlerësimeve të OCSE, në Itali nuk ka një numër më të lartë emigrantësh të parregullt krahasuar me vendet e tjera. Vitet e fundit, autoritetet kanë identifikuar nga 4 deri në 6 emigrantë të paligjshëm për 10,000 banorë, shumë më pak se ata të identifikuar në vendet e tjera si për shembull në Austri ose Gjermani, apo edhe Francë, Mbretëria e Bashkuar dhe Spanjë, për të mos përmendur Greqinë, e cila ka pasur vlerat më të larta për një farë kohe.
Shqiptarët ilegalë në BE
Nuk është i pakët numri i shqiptarëve që, në pamundësi për t’u pajisur me dokumentacionin dhe lejet përkatëse janë detyruar që të jetojnë ilegalisht në një nga vendet e Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, vetëm në vitin 2018 janë identifikuar në të gjithë Bashkimin Europian 34,810 shqiptarë ilegalë. Megjithatë krahasuar me një vit më parë numri i tyre ka ardhur në rënie duke u zvogëluar me 13%, nga mbi 40 mijë që ishte në 2017-n.
Të dhënat në dekadën e fundit tregojnë se numri i shqiptarëve që jetojnë ilegalë në BE ka pasur uljet dhe ngritjet e veta. Para 10 vitesh, në vitin 2009 u shënuar rekordi i kësaj dekade, ku në Europë numëroheshin 69 mijë shqiptarë. Më pas numri i tyre shënoi ulje, veçanërisht pas heqjes së vizave për shqiptarët në zonën Shengen në 2011, ku numri i shqiptareve ilegalë ishte 17,245.
Ndër vite Greqia ka raportuar numrin më të lartë të emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë pa letra. Në vitin 2018 numri i shqiptarëve që qëndronin në mënyrë të jashtëligjshme në Greqi ishte 11,190, apo sa 32% e totalit të shqiptareve ilegalë në të gjithë BE-në. Në vend të dytë renditet Gjermania, ku sipas Eurostat në 2018-n janë identifikuar 6570 shqiptarë që jetojnë atje ilegalisht, rreth 38% më pak në krahasim me një vit më parë, e ndjekur nga Franca me 4355, Mbretëria e Bashkuar me 3580. Ndërsa në Itali gjatë 2018-s u identifikuan rreth 3025 shqiptarë pa dokumentet përkatëse të qëndrimit, rreth 8% e totalit të ilegalëve në të gjithë BE-në. Numri i tyre në Itali u rrit me gati 600 emigrantë më shumë në krahasim me një vit më parë
2018-a shënoi rritje të numrit të emigrantëve shqiptarë ilegalë në Holandë. Holanda po kërkon që të vendosë sërish regjimin e vizave me Shqipërinë. Në 2018-n u identifikuan rreth 1000 emigrantë ilegalë në Holandë, rreth 2.3 herë më shumë se një vit në parë. Numri i emigrantëve shqiptarë ilegalë në Holandë ka shënuar rritje veçanërisht në tre vitet e fundit.
Shifrat kanë qenë në rritje edhe në Spanjë, ku vetëm në vitin e fundit janë identifikuar 1035 emigrantë ilegalë, gati 30% më shumë se një vit më parë. Prej 2014 edhe emigrantët e identifikuar si ilegalë në vendin e Gadishullit Iberik kanë qenë në rritje./Monitor