Aktualitet Vdekja dhe zija njerëzore përballë Ngjalljes së Krishtit

Vdekja dhe zija njerëzore përballë Ngjalljes së Krishtit

Nga Miron Çako*

Vdekja është armiku më i madh i njerëzve,që përgjon si hajduti për të vjedhur jetën, gjënë më të çmuar të çdokujt dhe asaj nuk mund t’i shpëtojë askush prej nesh, ashtu siç thotë edhe psalmisti: “Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëpusë jetën e tij nga pushteti Sheolit?”(Psalmi 89:48)

Nga frika njerëzit përpiqen të shmangin çdo kontakt me e vdekjen, duke u përpjekur të mos e kujtojnë, ose duke iu shmangur varrimit të të vdekurve, apo vajtjes në varreza. Por vdekja përsëri shfaqet e frikshme midis njerëzve, duke marrë jetën e të dashurve rreth tyre dhe vazhdon përshpërit pa u lodhur brenda psikikës tonë të rënduar nga ankthi: “këtu jam dhe shpejt do t’ju marr edhe ju me vete ”. Kështu nuk mbetet gjë tjetër veçse njeriu të vajtojë me dëshpërim , ashtu siç thotë urtësia e Sirakut :“O vdekje sa i hidhur eshte mendimi mbi ty” ose si thotë Benjamin Franklin(1706-1790) “Në këtë botë asgjë nuk është e sigurtë, përveç vdekjes dhe taksave.

Por çfarë është vdekja?

Si koncept i përgjithshëm vdekja është ndërprerja e plotë e jetës së një organizmi të gjallë dhe asgjësimi i qenies, por se çfarë është vdekja për qenien njerëzore, konceptet dhe përqasjet janë të ndryshme. Mendimi materialist, ose ateist ka të njëjtin koncept filozofik për vdekjen njerëzore si për çdo qenie të gjallë, që në këtë botë lind zhvillohet edhe asgjesohet me vdekjen si thotë filozofi pesimist Friderik Nietzsche(1844-1900): “Le të kujdesemi të themi se vdekja është e kundërta e jetës. Qenia e gjallë është vetëm një specie e të vdekurve dhe një specie shumë e rrallë”.

Por filozofët idealist, apo besimtarët që besojnë në krijimin e qeniës njerëzore nga një Super Inteligjencë dhe Krijues Personal, kanë një tjetër mendim dhe përqasje mbi vdekjen njerëzore. “Vdekja nuk është fundi”, thoshte shkrimtari Patrik Ness.(1971)

Që nga kohët e lashta njerëzit kanë besuar se vdekja vërtet asgjeson trupin e të ndjerit që i dorëzohet pluhurit edhe krimbave, por kjo nuk ishte asgjësimi i plotë i qënies njerëzore, sepse një pjesë e njeriut shpirti i tij vazhdonte të jetonte edhe mbas vdekjes në botën e të vdekurve që parafytyrohej në nëntokë. Platoni (427-347 para Krishtit) thoshte: “Shpirti nuk merr asgjë me vetë në botën e ardhshme, por vetëm edukimin e dhe kulturën e tij. Në fillim të udhëtimit drejt botës së ardhshme, arsimi dhe kultura e personit që sapo ka vdekur mund ti ofrojë ndihmën më të madhe, ose të veprojë si barra më e madhe”.

Besimet e lashta egjiptiane, greke, romake, ilire dhe e çdo populli të përhapur në faqe të dheut për të përballuar frikën nga vdekja kishin drejtuar shpresat, te misteri i jetës pas vdekjes, kjo gjendje e shpirtërore dhe e përjetshme për ata ishte një gjendje shumë më e mirë se jeta trupore dhe e përkohshme mbi tokë.

Kjo përqasje e tillë ndaj vdekjes nxiti tek popujt e lashtë ritualet e zisë që kishin një protokoll strikt në nderimin e të vdekurve, e shprehur me vaje dhe rituale. Zia me rroba të zeza ka mbetur deri më sot nga tradita pagane. Njerëzit në ato kohë linin mjekër, ulërinin,priteshin, shqyenin rrobat e tyre, qanin, etj si këto, që të shprehnin aq sa ishte e mundur dhembjen e ndarjes ndaj pesonit që vdiq fizikisht, por që besohej se vazhdon të ekzistoj shpirtërisht.

“Zia është reagimi emocional e fizik dhe pasojat që ndiejnë njerëzit për shkak të vdekjes së një njeriu të dashur. Ajo përfshin një gamë të gjerë emocionesh të tilla si trishtim,mall, zemërim, dëshpërim, faj, frikë. Çdo person mund të shfaq një kombinim të ndryshëm të emocioneve dhe shqetësimeve fizike. Vdekja e një fëmije krijon një ndjenjë të padurueshme padrejtësie. Humbja e së ardhmes së fëmijës, ëndrrat e paplotësuara dhe absurditeti i fatkeqësisë, e bëjnë humbjen e një fëmije, një nga përvojat më të dhimbshme të njeriut dhe po ashtu prindërit mund të ndihen përgjegjës për vdekjen e fëmijës. Në të njëjtën kohë, ata mendojnë se kanë humbur një pjesë të konsiderueshme të vetes së tyre. Vdekja e një bashkëshorti është një përvojë jashtëzakonisht e dhimbshme. Përveç shkakut të rëndë emocional, shkaktohen probleme të tjera të vështira si përçarja e familjes, nevoja për ndryshimin e mënyrës së jetesës, humbjen e të ardhurave, pasojat sociale etj. Ndërsa tek të moshuarit, vdekja e bashkëshortit do të thotë humbje e partnerit ose partneres me të cilin ka kaluar jetën. Në pleqërinë e thellë, humbja e një bashkëshorti sjell ndjenjat e vetmisë së theksuar dhe zakonisht këta persona “ikin” menjëherë pas tyre. Vdekja e të dashurit për shkak të vetëvrasjes është një nga situatat më të vështira, njerëzit, mjedisi, familja dhe miqtë e kanë shumë të vështirë për ta pranuar dhe për ta kapërcyer hidhërimin e madh. Ata ndiejnë një barrë të madhe të përgjegjësisë, fajit, zemërimit dhe turpit, madje mund të ndihen përgjegjës për vdekjen e personit të tyre të dashur. Njerëzit që të jenë në gjendje të kapërcejnë këtë përvojë traumatike, duhet të kalojnë nëpër fazat e zisë. Ata kanë nevojë për ndihmën e familjes, të afërmve dhe miqve të tyre. Është e rëndësishme të përcaktohen fazat e zisë nga të cilat do të kalojnë njerëzit që kanë humbur të dashurit e tyre. ” (Dr. Grigori Vasiliadhis, Psikolog Klinik)

Besimi i jetës mbas vdekjes tregohet qartazi edhe në arkitekturën e varreve të cilat kishin karakterin e një banese të shoqëruar me orendi shtëpiake, ushqime, para apo armë që i duheshin të ndjerit për në jetën e përjetshme. Siç janë zbuluar nga faktet arkeologjike për të vdekurit e pasur, si psh mbretërit në varret e tyre vendoseshin edhe shërbëtorë, ushtarë apo gra, këto të personifikura me vizatime apo statuja, ose edhe me njerëz të murosur për së gjalli.

Vdekja edhe nderimi i të vdekurve ishte i ngulitur në ndërgjegjen e gjithë popujve, vdekja e frikshme dhe mungesa e varrit shihej si një mallkim i madh për njeriun.Tek libri i profetit Jeremia shekulli lexojmë: “Ata do të vdesin nga një vdekje rrëqethëse; nuk do të qahen dhe nuk do të varrosen, por do t`i lënë si pleh mbi faqen e dheut…dhe kufomat e tyre do të shërbejnë si ushqim për shpendët e qiellit dhe për kafshët e tokës”.”(Jermia 16:4)

Njerëzit në nderimin ndaj të vdekurve dhe dëshirën për të komunikuar me ta përtej portës së mbyllur të vdekjes, përveç zisë zhvilluan edhe praktika spiritualiste të komunikimit me botë e të vdekurve nëpërmjet mediumeve, që edhe pse janë praktika demonikake të deskrituara vazhdojnë edhe praktikohen sot e kësaj dite nga njerëzit mashtrues të mashtruar.

Por Bibla na tregon një tjetër tablo të jetës mbas vdekjes. Vdekja sipas Biblës ndryshe nga bestytnitë e kombeve paganë është furnizusja e skëterrës së pangopur: “Sheoli dhe Abadoni janë të pangopur, dhe të pangopur janë gjithashtu sytë e njerëzve.”(Fjalt e urta 27:20) Bota e vdekjes është një ankth i frikshëm, tek psalmet na flitet me nota shumë pesimiste për ndjenjat e besimtarit përball vdekjes: “Ankthet e vdekjes më kishin zënë” ose: “Mos më mbuloftë rryma e ujërave, mos më përpiftë humnera dhe mos u mbylltë gryka e pusit mbi mua.”(Psal 69:15)

Madje për psalmistin vet Zoti i të gjallëve i harron të vdekurit: “A do të njihen mrekullitë e tua në terr dhe drejtësia jote në dhé të harruar?”(Psal 88:12)

Pra ndryshe nga optimizmi i popujve pagan për jetën mbas vdekjes, Bibla si lexuam më sipër na tregon një tablo shumë të zymtë për botën e të vdekurve. Vdekja në të vërtetë është pjesë e një ankthi të madh, sepse ndryshe njeriu nuk do t’i kundërvihej asaj me dëshirën për të jetuar edhe disa minuta më shumë. Të vërtetat Biblike dhe eksperinca njerëzore përputhen dhe kërkojnë të na thonë se vdekja është e pamundur të reklamohet si dikça natyrale, apo e mirë për njerëzit, pavarësisht se filozofi i madh Sokrati(470-399 para Krishtit) thoshte: “Vdekja mund të jetë më e madhja nga të gjitha bekimet njerëzore”

Po kush e krijoi vdekjen?

Sipas Biblës vdekja nuk u krijua nga Perëndia që jeton në përjetësi, sepse kjo do ishte në kundërshtim me karakterin e tij si qenie e pavdekshme. Tek urtësia e Solomonit (970–931 para Krishtit) na thuhet: “Perëndia nuk e krijoi vdekjen dhe nuk kënaqet me shkatërrimin e të gjallëve, sepse ai i krijoi të gjitha që të jetojne”) dhe tek profeti Jeremia lexojmë: “Unë në fakt nuk ndjej asnjë kënaqësi me vdekjen e atij që vdes” thotë Zoti, Zoti.”(Ezekeli 18:32)

Njeriu u krijua nga Perëndia sipas ikonës dhe në ngjasim me të, pra i pavdekshëm, ashtu si dhe Perëndia është i përjetëshëm. Trupi i njeriut si banesë e shpirtit të pavdekshëm mund të kishte ndryshuar dhe evoluar gjatë shekujve, por ai nuk do të ishte ndarë nga shpirti për të shkuar në dheun ku u mor. Por kur njeriu dëgjoi djallin dhe hëngri frutin e ndaluar nga Zoti: “Mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekurse me siguri”(Zanafilla 2;17), ai vdiq si një i mallkuar për mosbindje nga Zoti që është burimi i jetës, prandaj: “vdekja erdhi në botë nga cmira e djallit”(Urtesia e Solomini 2:24). Vdekja është rezultat i mëkatit, ajo është fitorja përfundimtare e djallit, si rezultat i aktivitetit të tij shkatërrimtar duke qënë njerivrasës që nga fillimi: “Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan”. (Romakve 5:12)

Në këtë botë të lidhur nga mëkati nuk shpëton asnjë person nga vdekja madje edhe fëmijët që personalisht janë pa faj:“sepse në mëkat më lindi nëna ime”(Psalm 50)

Vet njeriu e ka të pamundur të dalë nga thonjtë e vdekjes, sepse ai për shkak të mëkatit të trashëguar edhe të kryer është robi i asaj, por edhe pse vdekja duket e pamposhtur përsëri besimtari i Zotit i drejton lutjet plot shpresë Zotit të jetës: “Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi.Prandaj zemra ime gëzohet dhe shpirti im ngazëllon për lavdinë e trashëgimisë sime; edhe mishi im do të qëndrojë tërë besim dhe në siguri,sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin. Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.”(Psalm 16:8-11)

Vetëm Perëndia mund ta çlirojë njeriun nga vdekja, por jo pa bashkëveprimin njerëzor, prandaj Perëndia nëpërmjet Fjalës edhe Birit të Tij i Cili u bë Bir Njeriu prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari,Jisu Krishti i cili nga të gjithë njerëzit nuk ishte robëruar nga vdekja e përbashkët, sepse vërtet mori trup të vdekshëm si ky i yni, por Ai nuk mori mëkatin e Adamit, sepse lindi nga një virgjëreshë pa farë burri. Ai thoshte për veten: “Askush nuk mund të ma heqë jetën, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im.”(Joani 10:18). Vdekja njerëzore e Krishtit në kryq ishte personalisht vullnetare, ai erdhi të vdiste me anë të vdekjes së tij vetë vdekjen, që e ka fuqinë tek mëkati:“edhe erdhi të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën.”(Hebrenjve 2:15)

Gjatë jetës së Tij tokësore, Krishti sipas ungjijve u ndesh me vdekjen ballë për ballë dhe duke ngjallur tre të vdekur, kjo tregoi se vdekja nuk ishte e pamposhtur dhe një ditë ajo do të mundej përfundimisht nga ai vetë. Vdekja zbrapsej para Tij, sepse Ai vet deklaronte: “Unë jam ngjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë.”(Joani 11:25-26) Mbasi Krishti si njeri iu dorëzua vdekjes trupore vullnetarisht në kryq, si shpirt zbriti në Hadh në botën e të vdekurve edhe i rrëmbeu shpirtrat e burgosur, madje mori pushtetin mbi vdekjen, pushtet që deri në atë kohë e kishte djalli me demonët, Ai deklaron përsëri për veten kur u ngjall: “isha i vdekur, por ja, jam i gjallë në shekuj të shekujve, amen; dhe unë i kam çelësat e vdekjes e të Hadesit.” (Zbulesa 1:18)

Krishti mbas tre ditësh i mori vdekjes edhe trupin nga varri dhe kështu u realizua përfundimisht vdekja e vdekjes, sepse në Krishtin është realizuar ngjallja e të vdekurve edhe trupërisht, ashtu si apostull Pavli na thotë: “Por tani Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur. Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu. Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin,por secili sipas radhës së vet: “ Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij, pastaj do të vijë fundi, kur ai t`ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atit , pasi të ketë asgjësuar çfarëdo sundimi, çdo pushtet e fuqi. Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t`i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta. Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja.”(Kor 15:20-26)

Për besimtarët e krishterë, ashtu si për të gjithë njerëzit vdekja ende vazhdon të jetë një tragjedi dhe kur përballen me vdekjen ata hidhërohen, lotojnë si Krishti për Lazarin e vdekur edhe pse do ta ngjallte, sepse vdekja është gjë e keqe për njeriun, por asnjëherë lotët nuk duhet të jenë lot dëshpërimi, sepse i krishteri beson se nëpërmjet vdekjes trupore i ndjeri thjeshtë ka ndërruar jetë dhe ka vajtur tek Zoti shpirtërisht kurse trupërisht qëndron në var si i fjetur, që pret të zgjohet me urdhëri e Perëndisë. “sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët”(1 Thesal 4:16)

Si cituam më sipër zija është me preajdhje pagane dhe praktikat e një zije të tepruar, janë tërësisht të gabuara, sepse kjo është një ankim kundër Perëndisë sepse mori fëmijën, burrin, gruan, prindin etj.Për besimtarin shpirti i të vdekurit ka më shumë nevojë për lutje dhe jo thjesht për një zi të jashtme nga ana jonë. Dhiata e Vjetër përmend se në atë kohë zia ishte 7 ditë dhe nuk fliste për rroba të zeza. Thoshte se vetëm nëse dikush vdiq pa qenë i lidhur me Zotin, për atë njeri duhej vajtuar gjithë jetën.

Pra ne nuk duhet të ankohemi për një humbje të të afërmit tonë, ose të sterrosim gjithkça në jetën tonë me vite zie të tepruar, por me besimin në ngjalljen e Krishtit, dhimbja e humbjes duhet të kthehet në mall me shpresën e ngjalljes së përbashkët, që do realizohet në ardhjen e dytë të Krishtit: “Sepse duhet që Ai( Krishti) të mbretërojë, derisa t`i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta. Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja.” (Kor 15:25-26) “Edhe ky trup që prishet, kur të veshë mosprishjen, edhe ky i vdekshëm kur të veshë pavdekësinë, atëherë do të realizohet fjala që është shkruar: “Vdekja u përpi në fitore“. O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote? Edhe gjëmba e vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji. Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht.”(1 Kor 15:54-57)

Krishti u Ngjall. Për shumë vjet Pashkët!

*Përgjegjësi i Zyrës të katekizmit në Kryepishkopatën e KOASH-i