Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar në lidhje me rastin e 13 vjeçarit nga Lushnja i cili humbi jetën duke u vetvarur aksidentalisht duke bërë video për ta hedhur në rrjet social.
Ministrja bëri thirrje që prindërit dhe shkollat të ngrenë alarmin dhe të kontrollojnë qëndrimin në internet të fëmijëve të tyre.
“Aksesi i fëmijëve në internet për një kohë të gjatë dhe në informacione të pakontrolluara dhe të parekomandueshme për moshën e tyre është një nga çështjet që unë kam ngritur vazhdimisht në takime të ndryshme. Edhe para pak ditësh e ngrita si alarm në takimin e zhvilluar në kuadër të projektit “Shkolla për Shëndetin” ku theksova nevojën e një debati të gjerë publik për këtë emergjencë shoqërore.
Jo vetëm shkollat dhe institucionet, por edhe familjet dhe çdo individ duhet të marrë sot përgjegjësinë për këto raste fatale”, shkruan ministrja.