Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me vdekjen e 28-vjeçares Irida Hasalla, pas një ndërhyrje estetike pranë spitalit Amerikan. Policia thotë se nën drejtimin e Prokurorisë, është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para procedurale si autopsia, marrja në pyetje e familjarëve, marrja në pyetje e mjekëve dhe anestezistit që kanë marrë pjesë në operacion.
“Ditën e djeshme, më datë 30.01.2024, është marrë njoftim se në një spital privat, pas një operacioni, ka ndërruar jetë shtetasja I. H., 28 vjeçe, banuese në Tiranë.
Pas marrjes së njoftimit, në drejtimin e Prokurorisë, është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para procedurale si autopsia, marrja në pyetje e familjarëve, marrja në pyetje e mjekëve dhe anestezistit që kanë marrë pjesë në operacion.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njoftoi policia.
Mësohet se e reja i është nënshtruar ndërhyrjes së të liposucionit ditën e hënë, ndërsa të martën pësoi trompozë dhe ndërroi jetë. Familjarët e të resë kanë denoncuar spitalin dhe mjeken, që e ka futur në sallën e operacionit, sipas tyre, pa marrë parasysh faktin që 28-vjeçarja ishte nën trajtim nga kanceri në Belgjikë, shtet dhe ku jetonte në vitet fundit.
Trupi i saj është dërguar për në morgun e Tiranës, ku do ti nënshtrohet dhe autopsisë, ndërkohë që familjarët e kanë kallëzuar rastin në komisariatin nr. 4 për mjekim të pakujdesshëm.
Pavarësisht se prindërit e të resë ishin kundër kësaj ndërhyrje, për shkak se e reja kurohej nga kanceri në mitër, vetë ajo kishte dhënë aprovimin për t’u futur në sallë. Pas disa orësh në gjendje kritike, ajo ndërroi jetë gjatë ditës së djeshme.