323 pes – Vdiq Aleksandri i Madh – disa kanë argumentuar se vdiq më 13 qershor, të tjerë japin datën 11 ose 10 qershor – në shënimet e bashkëkohësve thuhet se Aleksandri vdiq nga ethet; pija e tepruar; nga helmi; dyshimin e hedhin edhe mbi Aristotelin, për të cilin thonë se përgatiti helmin dhe ia dërgoi Aleksandrit si të ishte ilaç – pak kohë më parë, në gjak-nxehtësi e sipër, Aleksandri kishte vrarë Kalistenin, nipin e Aristotelit dhe filozofi ndoshta ‘mori gjakun’. Aleksandri lindi në Pella, Maqedoni më 20 korrik, 356 pes, nga mbreti Filip II dhe mbretëresha Olimpia, që ishte bija e mbretit të Epirit, Neoptolem. Mësimet e hershme Alekandri i mori nga Leonidha, që i mësoi atij matematikë, kalërim dhe përdorimin e harkut. Mësuesi tjetër ishte Lisimaku, i cili përdorte improvizime prej aktori për të kapur vëmendjen e princit, të cilit i pëlqente kur ai imitonte Akilin. Në vitin 343 pes, mbreti Filip punësoi filozofin Aristotel. Gjatë tre viteve, Aristoteli, jo-grek, jo-maqedonas (një traditë thotë se ishte ilir), i mësoi Aleksandrit filozofi, poezi, dramë, shkencë e politikë. Duke lexuar Iliadën e Homerit, Aleksandri filloi të ëndërrojë luftra – për këtë arsye Aristoteli krijoi një version të shkurtuar të Iliadës, të cilën Aleksandri e mbajti me vete në fushatat e tij ushtarake. Gjatë kohës si mbret i Maqedonisë (336-323 pes), Aleksandri bashkoi qytet-shtetet greke, rikrijoi Lidhjen e Korintit, u bë mbret i Persisë, Babilonisë dhe Azisë, krijoi koloni në Iran. Ndërsa bënte plane për pushtimin e Kartagjenës dhe Romës, Aleksandri vdiq në Babiloni, Persi. Vdekja e tij trishtoi maqedonasit, hidhëroi ilirët, hodhi grekët në rebelim; territoret e pushtuara prej tij u ndanë mes gjeneralëve – secili mbajti në zotërim zonat që kishte nën kontroll, siç ndodhi me Ptolemeun, i cili themeloi dinastinë e tij 350 vjeçare në Egjipt.
1190 – Kryqëzata e tretë: Frederik Barbarossa mbytet në lumin Salef gjatë kalimit me ushtrinë e tij për në Jeruzalem. Frederik i parë Barbarossa, mbret i Gjermanisë prej vitit 1152, kishte luajtur rol në bashkimin e fiseve gjermanike. Mbytja në lumë, ndërpreu edhe ëndrrën e tij për krijimin e një Perandorie të Evropës Qendrore, megjithëse la pas shembullin se një sundimtar i fortë është në gjendje të vendosë paqe.
1329 – Beteja e Pelekanonit rezulton në humbjen e trupave bizantine përballë atyre të Perandorisë Osmane. Ushtria bizantine u mund, dhe prej asaj kohe nuk bëri më përpjekje për marrjen e territoreve të humbura.
1692 – Amerikë: Salemi gjykon magjistaret: Brixhid Bishop dënohet me varje në litar në Salem, Massachusetts, “për kryerje të magjive që kishin çoroditur mendjet e banorëve”.
1793 – Muzeu ‘Jardin des Plantes’ hapet në Paris – një vit më vonë, bëhet Kopshti Zoologjik i parë publik.
1793 – Revolucioni Francez: Pas arrestimit të udhëheqësve Girondinë, Jakobinët marrin kontrollin e plotë të Komitetit të Sigurisë Publike, duke vendosur Diktaturën Revolucionare.
1854 – Diplomohen studentët e parë të Akademisë Detare në Annapolis, Maryland të Shteteve të Bashkuara.
1878 – Shqiptarët themelojnë Lidhjen e Prizrenit për t’iu kundërvënë vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe Traktatit të Shën Stefanit, si pasojë e të cilit trojet shqiptare i merreshin perandorisë osmane për t’iu dhënë shteteve të Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë. Lidhja u shtyp 3 vjet më vonë nga osmanët, por shkëndija e Rilindjes Kombëtare Shqiptare ishte ndezur.
1916 – Shpërthen revolta arabe e udhëhequr nga Lawrenc i Arabisë kundër Perandorisë Osmane.
1924 – Romë, Itali, fashistët rrëmbejnë dhe vrasin udhëheqësin socialist italian Giacomo Matteotti.
1924 – Shqipëri; Në orët e para të mëngjesit, në momentin e fundit, Ahmet Zogu ikën nga Tirana me rreth 600 besnikët e tij matjanë. Pas përleshjeve maleve me forcat e Bajram Currit, Zogu u detyrua të kalonte në Jugosllavi. Fati i Shqipërisë tani mbeti nën drejtimin administrativ dhe ushtarak të Fan Nolit. Këshilli i regjencës prej katër anëtarësh pushoi së ekzistuari; Gjon Çoba dha dorëheqjen, Xhafer Ypi dhe Refik Toptani ikën bashkë me Zogun, ndërsa Sotir Peci, u tërhoq në Korçë.
1935 – Dr Robert Smith merr pijen e tij të fundit, dhe themelon shoqatën Alkoolikët Anonim, në Akron, Ohio, Shtetet e Bashkuara.
1940 – Lufta e Dytë Botërore: Presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt denoncon si “thikë në shpinë” veprimet e Italisë, në ceremoninë e diplomimit të Universitetit të Virxhinias. Po këtë ditë, Italia i shpall luftë Francës dhe Britanisë, duke marrë hapur anën e gjermanëve.
1963 – SHBA; Hyri në fuqi Legjislacioni për heqjen e pabarazisë së pagave në bazë të gjinisë. Ligji u nënshkrua nga presidenti John F. Kennedy, si pjesë e Programit të tij ‘New Frontier’.
1967 – Lufta Gjashtë-Ditëshe përfundon: Izraeli dhe Siria të bien dakord për armëpushim.
1977 – Apple II, një nga kompjuterat e parë personalë, del në shitje në SHBA.
1997 – Komunizëm kamboxhian: Para se të largohej nga bastioni i tij verior, udhëheqësi Khmer Rouge, Pol Pot, urdhëroi vrasjen e ministrit të tij të Mbrojtjes, Son Sen dhe të 11 anëtarët e familjes Sen.
1999 – Lufta në Kosovë: NATO pezullon sulmet e saj ajrore pasi presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviçi, bie dakord të tërheqë forcat e tij nga Kosova.
2001 – Papa Gjon Pali II shenjtëron murgeshën libaneze Rafka (1832-1914). Sipas legjendës, kur Rafka ishte vajzë e re, ajo shkoi për të vizituar një manastir, ku papritmas dëgjoi zërin e Perëndisë që i tha: “Ti do bëhesh murgeshë.” Rafqa u bind, dhe Nëna Superiore e manastirit e pranoi atë menjëherë, pa asnjë hezitim. Më vonë Rafka iu lut Perëndisë që t’i ndante dhimbjet e botës me të, dhe menjëherë ajo u prek nga një sëmundje e pashërueshme që e mbajti në shtrat deri sa vdiq.