Aktualitet Vdekja e Bedrie Lokës, gjykata lë në burg të shoqin: Kam vetëm...

Vdekja e Bedrie Lokës, gjykata lë në burg të shoqin: Kam vetëm një gabim

Bashkëshorti i 41-vjeçares Bedrie Lokës, i arrestuar pas vdekjes së saj, ka dalë këtë të hënë para Gjykatës së Durrësit e cila caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg.

45-vjeçari Xhemal Loka u arrestua të shtunën pas hetimeve të para që nxorën në dritë se ai ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe në më shumë se një rast e ka kërcënuar me vdekje dhe në prani të fëmijëve.

Ndërsa rezulton i dënuar për vjedhje më parë, në seancën për masën e sigurisë, ai nuk ka pranuar që seanca të ndiqet me kamera dhe ka thënë se nuk është dakord me prokurorin e çështjes, Ilir Hoxha.

Avokati i tij Çlirim Hoxha kundërshtoi masën “arrest me burg” të kërkuar nga prokurori, duke kërkuar “detyrim paraqitje”, nën pretendimin se ndaj klientit të tij nuk ka prova.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve Xhemal Loka ka deklaruar se i ka thënë të shoqes të mos e vrasë mendjen për fotografinë e publikuar në Tik Tok.

“Nuk arrita ta kuptoj atë që do bënte. Ky është gabimi im. I kam kërkuar të mos shkojë të prindërit pa njërin nga fëmijët.

Nusja ime ka qenë në kërcënim, po jo nga unë. Debate kam bërë po kurrë të arrij puna ta dhunoj.

Një natë para diskutova që do iki në Greqi. Do të bëj një prokurë që të vish me dy fëmijët. Do rri deri në datën 10.

Më tha që mos ik pa ikur djali në Itali. I kërkova kudo të shkosh merr një nga fëmijët. Vetëm mos dil pa sqaruar problemin e fotos.

Vajza nuk ka qenë e pranishme në shtëpi. Ka qenë në shtëpinë e saj. Pastaj ndodhi ajo që ndodhi”.

Dëshmitë

Në deklarimet e datës 5 janar, vëllai i së ndjerës ka deklaruar në polici se motra është dhunuar disa herë fizikisht dhe kjo mund të ketë qenë shkak që e ka shtyrë që t’i japë fund jetës.

Edhe vëllai tjetër thotë e ka bërë këtë veprim si pasojë e dhunës dhe se marrëdhëniet bashkëshortore i kishin të këqija.

Vajza e çiftit Rozalinda ka pohuar se mes prindërve të saj ka pasur debate të vazhdueshme dhe se një ditë përpara ngjarjes nuk e lejonte të shkonte te nëna.

E reja ka thënë se ka bërë disa video dhe ia ka çuar motrës për ti treguar çfarë i bënte babai nënës.

Dyshimet janë se Xhemal Lojka mund të largohej pas ngjarjes pasi iu gjetën 2800 euro me vete, por ka deklaruar se ato para i kishte për të mbuluar shpenzimet e funeralit.

“Im vëlla s’ka gisht, na kërcënojnë me hakmarrje”

Kunati i Bedrie Lokës mohon që i vëllai të ketë gisht në ngjarje.

Duke folur për mediat ditën e sotme, ai akuzon se vëllezërit e viktimës nuk i kanë shkuar mbas shqetësimit të saj për adresën e hapur në Tik Tok.

“Motra plaste në vete se kush e nxirrte në Tik Tok. Vetëm dinë të akuzojnë. Nuk kanë pasur konflikte, kalamajtë janë kërcënuar nga daja i tyre.

Akuzojnë vëllanë tim, i kërcënojnë se iu intereson atyre. Vëllai im ka 23 vite martesë. Njerëzit e Bedries deklarojnë se ka kaluar 23 vite të këqija.

Vëllai im me çunin e vetë i ka dhënë ndihmën e parë. Vëllai im s’ka gisht fare. Në radhë të parë kërkoj sigurinë time.

Na kërcënojnë vëllezërit e saj se do bëjnë gjakmarrje. Në Manzë kanë tentuar të më qëllojnë.

Kemi pasur përplasje fizike në Manzë, kanë tentuar të më qëllojnë. Kemi pasur komunikime normale, vëllai dhe çuni kanë qenë ndihma e parë.

Ishte në gjendje kome, nuk ishte në gjendje fizike. Edhe unë edhe vëllai, edhe vajza kemi kontaktuar dhe kërkoi falje, pse piu helmin.

Kam qenë 24 orë pa pushim, si atje, si kur arrestuan vëllanë tim. Kërkoj që të zbardhet e vërteta. Vëllai im nuk ka lidhje. Akuzat vazhdojnë.

Te personi që i kishte bërë foto në Tik Tok ka shkuar vëllai dhe i ka thënë hiqeni foton se do ua kthej mbrapsht.

Të zbardhet çështja nëse ka dhunë. Për kërkesën për zhvarrim duan që të ngarkojnë vëllanë tim”.

Ndërkohë vjehrra e viktimës thotë se në shtëpinë e të birit kanë humbur 40 mijë euro.

“Djali im ia fali nuk i kërkoi llogari. Edhe lekët ia fali. Vëllai i nuses vodhi 40 mijë eurot e Xhemalit. E ka bërë nusja denoncimin. Vëllai që del në televizor nuk i ka shikuar për 15 vjet tek shtëpia e së motrës”.

Familjarët e së ndjerës thonë se ka qenë kushërira nga nëna ajo që i ka hapur adresën Bedries.