Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga Elbasani akuzat ndaj Policisë së Shtetit, për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti pas shoqërimit në Komisariatin Nr 3 mbrëmjen e së mërkurës. Për Ramën, e gjitha kjo bëhet për ta lidhur ngjarjen me rastin e të ndjerit Klodian Rasha, me qëllimin sipas tij për të nxjerrë në rrugë njerëzit.
“Kanë që dje që akuzojnë Policinë e Shtetit se ka vrarë një djalë të ri. Ndërkohë që në mënyrën më korrekte, më serioze, më dinjitoze, policia ka pezulluar personat, që të mos jenë të përfshirë në asnjë lloj procesi, është ngarkuar agjencia përkatëse që bën gjithë investigimin, mjekësia ligjore që bën punën e vet. Nuk ka asnjë shenjë që të ketë pasur ndonjë arsye nga jashtë, pra ndonjë gjë e bërë me të keq dhe gjithsesi të gjithë presim përfundimin, autopsia, raporti i mjekësisë ligjore etj. Po si është e mundur? Çfarë lloj qeniesh janë këta, që u dalin njerëzve si gogolë në ekranet e TV, në ato ekrane që ju e shikoni, megjithëse flasin për një regjim që kontrollon gjithçka, praktikisht ne nuk kontrollojmë asgjë, sepse ato janë ekrane, në një barrikadë kundër qeverisë për arsye të pronarëve të tyre, por kjo është temë tjetër… Dhe “E vrau policia, e vrau policia, e vrau policia”… E pse? Sepse duan ta lidhin me psikologjinë e njerëzve, me atë tmerrin e madh që ishte në atë rast, një tmerr i vërtetë, të të ndjerit Klodian Rasha dhe duan që t’i nxjerrin njerëzit rrugëve”, tha Rama.