Kryesore Vdekja e Lear Kurtit, Berisha: E mbytën banditët me uniformë, Ardi Veliu...

Vdekja e Lear Kurtit, Berisha: E mbytën banditët me uniformë, Ardi Veliu mashtroi për të mbrojtur padronët

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se faktet dhe investigimet nga gazetarët treguan se 32-vjeçari Lear Kurti u mbyt nga punonjës të policisë, të cilët ai i konsideron banditë me uniformë.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se u hodhën poshtë manipulimet dhe inskenimet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), të drejtuar nga Ardi Veliu.

“Fundjavën që kaloi gazetarët kanë bërë investigime, kanë sjellë fakte dhe prova shteruese për mbytjen e Lear Kurtit, të riut 32-vjeçar, nga banditë me uniformë, të droguar. O noke, më mbytën, ishte klithma para se të jepte shpirt, sipas dëshmitarit të pranishëm në vendngjarje dhe mikut të Lear kurtit.

Investigimet serioze të rrjeteve televizive hodhën poshtë si trillime të turpshme pretendimet e Edi Ramës dhe Çuçit, hodhën poshtë trillimet, manipulimet dhe inskenimet e një krimineli me uniformë, të pashoq në rradhët e policisë shqiptare, Ardi Veliu, i cili për të mbrojtur padronët e tij, përdhosi dhe vrau për së dyti Lear Kurtin. Investigimet e rrjeteve televizive faktuan se mbi Lear Kurtin, një bandë prej 4 policësh, sigurisht prej tyre të droguar, u vërsulën në rrugë me një egërsi çnjerëzore”, theksoi kryedemokrati.