Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për akuzat e opozitës ndaj Policisë së Shtetit, për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti. Në një postim në Twitter, Rama i quajti “hiena” ata që kanë akuzuar efektivët e policisë si shkaktarë të vdekjes.
“Kur njeriu bëhet hienë nuk bëhet më kurrë njeri, po kur njerëzit u venë pas hienave rrezikojnë të bëhen hiena! Si mund t’u shkohet ende pas hienave që prej 24 orësh po shqyejnë një të vdekur nëpër media, duke ia hedhur fajin policisë, kur edhe vetë prokuroria ka folur qartë?! Çdo shqiptar që i ndjek këto hiena nga mbrapa duhet të pyesë veten çfarë shqiptari është dhe çfarë kërkon pas atyre, që kërkojnë vetëm rrëmujë, konflikt, gjak mundësisht, e që hanë bukën e Shqipërisë po bëjnë duvanë e Rusisë!”, tha Rama përmes Twitter-it.
Kurti ndërroi jetë një ditë më parë, në rrethana ende të paqarta. Policia tha se ai vdiq pasi u dërgua në spital, ndërsa nga Spitali i Traumës u deklarua se ai kishte mbërritur i pajetë aty.
Për ngjarjen janë pezulluar 3 efektivë, ndërsa nuk kanë dalë ende zyrtarisht rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore.