Pesë persona, ndër ta edhe asistenti personal dhe dy mjekë, u arrestuan për vdekjen e Matthew Perry, yllit të “Friends”.
Sipas policisë së Kalifornisë, dy mjekët i dhanë aktorit një sasi të madhe ketamine.
Prokurori Martin Estrada u shpreh se personat “përfituan nga problemet e Perry-t me varësinë për t’u pasuruar”.
Perry ka folur publikisht për problemet e tij me varësinë. Ai bënte një terapi me ketaminë për ankthin dhe depresionin në periudhën e vdekjes. Siç zbuloi edhe autopsia në Los Angeles, në trupin e aktorit kishte sasi shumë më të lartë të ketaminës, krahasuar me atë që përshkruhej në recetën e dhënë nga mjeku. Departamenti i policisë së Los Angeles u shpreh asokohe se do të bënin një hetim të përbashkët për të ditur se pse kishte një sasi kaq të lartë ilaçesh dhe substancash në trupin e aktorit.
“Ky hetim ka zbuluar një rrjet të gjerë kriminal, përgjegjës për shpërndarjen e sasive të mëdha të ketaminës te Perry dhe të tjerët”, tha Estrada të enjten, duke shtuar: “Ky rrjet përfshinte një asistent, ndërmjetës të ndryshëm, dy mjekë dhe një burim kryesor të furnizimit me ilaçe, të njohur si “Mbretëresha e Ketaminës”.
Estrada u shpreh se 5 njerëz u arrestuan në total.
“Ata e dinin se ajo që po bënin ishte e gabuar. Ata e dinin që po i sillnin një rrezik të madh z. Perry, por gjithsesi e bënë. Në fund të fundit, ata ishin më të interesuar të përfitonin nga z. Perry sesa të kujdeseshin për mirëqenien e tij.
Sipas Times, të arrestuarit mund të jenë Jasveen Sangha, e njohur si “Mbretëresha e Ketaminës” dhe mjeku Salvador Plasencia, i njohur me nofkën “Dr. P”. Dyshja akuzohet për komplot për shpërndarjen e ketaminës; shpërndarjen e ketaminës duke rezultuar në vdekjen e personit; posedim me qëllim të shpërndarjes së metamfetaminës; ndryshim dhe falsifikim të të dhënave, në lidhje me hetimin federal.
Kenneth Iwamasa, asistenti personal i Perry, u akuzua për shpërndarjen e ketaminës. Gjithashtu, Mark Chavez, një mjek dhe Erik Fleming, një i njohur i Perry, u akuzuan, pasi rezultoi se ishin pjesë e këtij rrjeti.
Dokumentet e gjykatës zbuluan mesazhe me tekst të dërguara midis Plasencia-s dhe Chavez-it, në të cilat i pari diskutonte blerjen e ketaminës për t’ia shitur viktimës, pra, Perry-t. Në mesazhe, Plasencia shkroi: “Pyes veten se sa para do të paguajë ky idiot” dhe “le ta zbulojmë”.
Perry u gjet i vdekur në një xhakuzi në shtëpinë e tij në Los Anxhelos në tetor 2023. Zyra e ekzaminuesit mjekësor të Los Anxhelosit përcaktoi se shkaku i vdekjes ishte “efektet akute të ketaminës”.
Ai tha se mbytja, sëmundja e arterieve koronare dhe efektet e buprenorfinës, e cila përdoret për të trajtuar çrregullimin e përdorimit të opioideve, ishin faktorë kontribues. Në autopsi u gjetën nivele të ketaminës në gjakun e tij të ngjashme me nivelet e përdorura gjatë anestezisë së përgjithshme. Perry, kishte diskutuar historinë e tij me abuzimin e substancave, të cilat ai tha se filloi në moshën 14-vjeçare dhe u shtuan gjatë rolit të tij në serialin “Friends”.