Katër persona u mbytën tragjikisht në një liqen piktoresk dhe popullor në jug të Alpeve zvicerane, Laggo Maggiore, mes Italisë dhe Zvicrës.
Njëri nga viktimat ishte një ish-agjent i agjencisë së spiunazhit të Izraelit, Mossad, dy ishin oficerë të inteligjencës italiane dhe viktima e katërt një grua ruse.
Ata ishin mes 23 personave në bordin e varkës së vogël që u nis për të lundruar në liqen.
Është pa dyshim një ngjarje traumatike për të mbijetuarit dhe për familjet që humbën të dashurit – por një sërë faktesh dyshuese rreth rastit kanë nxitur spekulime se çfarë ka ndodhur saktësisht, shkruan BBC.
Liqeni Laggo Maggiore dhe vija bregdetare e tij, ndahen midis rajoneve italiane të Lombardisë dhe Piemontes dhe kantonit zviceran të Ticino-s.
Disa kompani që prodhojnë teknologji të aftë për përdorim ushtarak dhe civil janë të vendosura në Lombardi dhe Zvicra konsiderohet një vend tranzit për shumë anëtarë të inteligjencës.
Dhe disa nga njerëzit në barkë, të të dyja kombësive, kishin apartamente dhe shtëpi atje.
Ndërsa disa raporte thonë se udhëtimi me varkë ishte një udhëtim i pafajshëm kënaqësie, disa media italiane raportojnë se ishte një takim sekret pune midis agjentëve italianë dhe izraelitë.
“Një apokalips zbriti mbi ne”
Ka interesim të madh për incidentin dhe prokurori publik Carlo Nocerino është ngarkuar të zbulojë se çfarë ka ndodhur.
Ai thotë se 13 nga ata në bord, ishin agjentë italianë dhe tetë ishin agjentë izraelitë. Vetëm kapiteni Claudio Carminati dhe gruaja e tij ruse nuk punonin në inteligjencë.
Lundrimi ishte planifikuar për të festuar ditëlindjen e dikujt në bord. Varka 15 metra ishte një zgjedhje e duhur – quhej “Good…uria”, një lojë fjalësh që do të thotë “kënaqësi”.
Por kjo varkë u godit papritur nga një stuhi e fortë me shpejtësi mbi 70 km (43m) në orë.
“Në një hark prej 30 sekondash, një apokalips zbriti mbi ne”, – ishte mënyra se si Carminati e përshkroi incidentin, sipas gazetës “Corriere della Sera”. – Varka u përmbys menjëherë dhe ne ramë në ujë”.
Carminati u tha hetuesve se nuk ishte parashikuar mot i keq. Varka ishte ende në liqen pas kohës së planifikuar të kthimit.
Ai tani po hetohet për krime të mundshme të shkaktimit të mbytjes së një anije dhe vrasje me dashje.
Gruaja e tij, Anna Bozhkova, ishte një grua ruse 50-vjeçare, e cila kishte një leje qëndrimi për të jetuar në Itali.
Viktimat e tjera ishin Tiziana Barnobi, 53 vjeçe dhe Claudio Alonzi, 62 vjeç, të dy anëtarë të shërbimit sekret italian.
Vdiq edhe një izraelit, 50-vjeçari Simoni Erez. Ai ishte një agjent i Mossad-it në pension.
Emri i tij u publikua në mediat italiane, edhe pse mediat në Izrael vazhdonin të përmbaheshin nga raportimi i tij.
Të tjerët që ishin në bordin e varkës arritën të notonin në breg ose u tërhoqën nga uji nga mjete të tjera që u dërguan për të ndihmuar ose ndodheshin në zonë.
Shkaku i të gjitha vdekjeve është mbytja, ndonëse mediat italiane raportojnë se nuk është kryer asnjë ekzaminim pas vdekjes.
Të mbijetuarit e zhdukur
Një aspekt tjetër i misterit, është se, sipas mediave italiane, të mbijetuarit e fatkeqësisë duket se nxituan të largoheshin menjëherë më pas.
Shtypi italian raporton se të mbijetuarit kanë marrë me shpejtësi gjërat e tyre nga dhomat e hotelit dhe nga spitali ku kishin marrë mjekimin dhe janë larguar.
Nuk ka dokumente për ata që kanë marrë trajtim mjekësor. Izraelitët braktisën makinat e tyre me qira dhe të hënën ata u kthyen në shtëpi me një avion izraelit që morën në Milano.
Identiteti i tyre nuk është bërë i ditur, por Nocerino, prokurori publik, i tha BBC-së se ishte normale të publikoheshin vetëm emrat e viktimave dhe jo të mbijetuarve.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu konfirmoi të mërkurën se izraeliti që vdiq ishte një anëtar në pension i Mossad-it.
“Mossad humbi një mik të dashur, një anëtar të përkushtuar dhe profesionist, i cili i kushtoi jetën e tij sigurisë së shtetit të Izraelit për dekada të tëra”, tha zyra në një deklaratë.
“Duke pasur parasysh shërbimin e tij me agjencinë, nuk është e mundur të shtjellohet identiteti i tij”, shtoi ajo.
Një varkë e mbipopulluar?
Varka e përfshirë në incident nuk është nxjerrë ende në breg. Kjo do të thotë se hetimi nuk mund të fillojë siç duhet, tha Nocerino për BBC.
“Për momentin, ndodhet në fund të liqenit dhe mund të duhen dy ose tre ditë për ta ngritur atë”.
Nocerino shtoi se anija kishte kapacitet vetëm për 15 pasagjerë, por kishte tetë më shumë se njerëz në bord.
Raportohet se mbipopullimi e ka bërë më të vështirë për kapitenin manovrimin e varkës në kushte të pafavorshme atmosferike.
Magjistratët po hetojnë pse kishte më shumë njerëz se sa lejohej në bord – dhe nëse duhej të lundronte në liqen duke pasur parasysh motin e keq.
Nocerino tha se hetimi do të shqyrtojë pajtueshmërinë me masat e sigurisë, mirëmbajtjen, certifikimin dhe sigurimin e anijes.
Sigurisht, me kaq shumë histori të mbetura të pasigurta, spekulimet ka të ngjarë të vazhdojnë.
Karabinierët, policia ushtarake e Italisë, po ndihmojnë hetimin. Ata i thanë BBC-së se do të shqyrtojnë varkën dhe kushtet e motit – por jo atë që njerëzit po bënin në bord.