Vdekja e doktoreshës shqiptare në Gjermani, Eneida Doko, ka tronditur familjarët e saj, por jo vetëm. Mediat atje kanë sjellë detaje se si humbi jetën 34-vjeçarja. E reja vdiq pas një aksidenti rrugor. Shkak dyshohet të jenë bërë ngricat në rrugë.
Siç shkruan prestigjiozja gjermane, 34-vjeçarja po udhëtonte më një Mercedes GLA, ndërsa aksidenti tragjik ndodhi të enjten në Oldenburg. Siç duket nga pamjet, e reja ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal. Disa dëshmitarë në vendin e ngjarjes kanë treguar se makina ka fluturuar në ajër kur ka dalë nga rruga.
E reja mori ndihmën e parë mjekësore dhe u dërgua në spital, por atje ndaloi së luftuari për jetën. Zemra i pushoi së rrahuri disa orë pas aksidentit tragjik.
Familjarët, miqtë dhe të njohurit janë të shokuar nga ky lajm. Doko ishte mjeke psikiatre. Ajo kishte shkruar në Gjermani në vitin 2016 për të kryer masterin. Më vonë njohu Thorsten Wassermann me të cilin u lidh. Ky i fundit ka treguar për Bild ëndrrat që kishte thurur me mjeken shqiptare.
“Ishte një yll, shkëlqente, përhapte vetëm lumturi dhe dashuri kudo. Donim të martoheshim, të kishim fëmijë”, ka treguar ai.
Ata kishin një lidhje prej 4 vitesh.
“Fliste pesë gjuhë të huaja dhe një gjermanishte perfekte. Ishte e rëndësishme për të që të afronte njerëzit me atdheun, Shqipërinë, një vend ku familja ka shumë rëndësi”, ka rrëfyer Wassermann.
Nga kjo ngjarje e rëndë është tronditur edhe komuniteti i shqiptarëve në Gjermani.
“Ajo ndihmoi shumë njerëz. Ishte plot me energji”, shkroi një prej kolegëve të saj shqiptarë në Facebook.