Për shumë nga gratë dhe vajzat që bënë homazhe dhe vendosën lule dhe qirinj në vendin në të cilin 33-vjeçarja Sarah Everard u pa për herë të fundit, vrasja e saj është një çështje që i prek ato në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Gratë e intervistuara nga Reuters janë shprehur që ato ndihen të kërcënuara çdo ditë për shkak të gjinisë të tyre femërore. Zhdukja e Everard ndërkohë që ajo po kthehej në shtëpi në mbrëmjen e 3 marsit ka sjellë revoltën e shumë grave, të cilat shprehen për rreziqet e ecjes vetëm në rrugë gjatë natës, si dhe për një dështim të policisë apo të shoqërisë për të menaxhuar këtë çështje.
Shumë nga gratë të cilat u intervistuan nga Reuters u shprehën që ato shpresonin për nxitjen e një debati kombëtar në lidhje me vrasjen në mënyrë që të shikonin ndryshime në mënyrën e sjelljes së meshkujve.
Aktivistët donin që të organizonin një ceremoni formale, por një leje e tillë nuk iu dha nga policia e Londrës për shkak të kufizimeve të koronavirusit. Ndërkohë që tensionet në protestë u rritën, policia arrestoi shumë vetë.
Policia zbuloi trupin e Sarah Everard më datë 10 mars në një pyll 80 km larg Londrës. Për vrasjen akuzohet Wayne Couzens, një 48-vjeçar pjesë e Policisë Metropolitane të Londrës që nga viti 2018. Kohët e fundit ai shërbente si roje e sigurisë për parlamentin dhe ambasadat e huaja në Londër. Ai u shfaq në seancën e parë në gjyq me një plagë në kokë, të cilën e kishte mjekuar më parë në spital.