Vdekja e të riut nga Durrësi, Leonard Farruku në anijen “Bibby Stokholm”, e njohur edhe si “burgu lundrues” për azilkërkuesit që kanë kaluar Kanalin Anglez me gomone, është bërë çështje në Britaninë e Madhe.
Nën dyshimet për një vetëvrasje nga 27-vjeçari që ia kishte shprehur motrës së tij gjendjen e rënduar psikologjike dhe “trajtimin si kafshë” nga rojet e sigurisë, Sekretari i Brendshëm britanik James Cleverly njoftoi nisjen e hetimeve për vdekjen e Farrukut.
Cleverly tha se vdekja e papritur e të riut shqiptar do të hetohet “plotësisht”. Po ashtu, Rachael Griffin, mjeke ligjore e lartë për zonën e Dorset, ka konfirmuar se një hetim për vdekjen e Farrukut do të nis më 21 dhjetor.
Seanca paraprake zakonisht mbahet për të përcaktuar zyrtarisht identitetin e të ndjerit, vendndodhjen e vdekjes dhe potencialisht shkakun e vdekjes përpara se të shtyhet për një seancë të plotë në një datë të mëvonshme.
Lajmi për vdekjen e Farrukut nxiti kritika nga organizata të shumta bamirëse në Britani, të cilat kërkuan një hetim të pavarur për ngjarjen dhe mospërdorimin e anijeve për të strehuar azilantët.
Gazeta “Daily Telegraph”, e cila raportoi për herë të parë emrin e të ndjerit, ka zbuluar se Leonardi kishte paguar 4 mijë euro për të kaluar Kanalin Anglez me gomone.
Motra e tij, Jola Dushku, tha për gazetën: “Kur fola me të herën e fundit, më tha se kushtet në atë anije nuk ishin të këqija, por rojet i trajtonin si kafshë. Sipas të afërmve tanë që janë në kontakt me policinë, Leonardi atë natë në orën 23 të mbrëmjes ka pasur disa probleme dhe është qetësuar nga roja. Në orën 3 të mëngjesit, ai u gjet i vdekur. Nuk dimë më shumë detaje se si ai vdiq.”
Ndërkohë, pas ndarjes nga jeta të 27-vjeçari shqiptar, Sekretari i përhershëm i Home Office, Sir Mattheë Rycroft iu tregoi deputetëve britanikë koston e kontratës së lidhur nga shtetit për të vendosur emigrantët e paligjshëm në anijen “Bibby Stockholm”, që i kalon 22 milionë paund.
Ai deklaroi se kjo shifër mbulonte pjesën e akomodimit në anijen e kthyer në kamp azilkërkuesit, sipas kontratës me operatorët CTM. Po ashtu, ai sqaroi se pas rastit fatkeq do të ketë një vlerësim që do të tregojë nëse akomodimi i azilkërkuesve në bordin e këtij “burgu lundrues” e justifikon koston.
Azilkërkuesit u zhvendosën fillimisht në bordin e “Bibby Stokholm” në gusht, por u evakuuan disa ditë më vonë pas zbulimit të bakterit Legionella në ujin e pijshëm, që mund të shkaktojë sëmundjen potencialisht fatale të Legjionarëve. Dy muaj më vonë, rreth 200 emigrantë u kthyen sërish aty.