Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur akuza duke thënë se ky është shteti i mafias dhe se qeveria është mafia e shtetit.
Kryedemokrati Berisha ka hedhur akuza ndaj qeverisë, pasi sipas tij, “qeveria po përpiqet që të mbulojë vdekjen e Enver Sheshit” në spital, të arrestuarit për aferën e inceneratorëve.
Kryetari i PD-së Berisha ka deklaruar se ka marrë informata se Enver Sheshi është viktimë e mafies qeveritare teksa ka shtuar se i ndjeri kishte vendosur të fliste dhe për këtë arsye, sipas Berishës teksa citon burimet: Rama gjeti mënyrën që ta çojë në botën tjetër.
Sali Berisha: Jam këtu për të denoncuar edhe njëherë, errësirën me të cilën qeveria përpiqet të mbulojë vdekjen e të ndjerit Enver Sheshi, arrestuar për aferën e inceneratorëve. Menjëherë pas komunikatës zyrtare, e cila ngjallte më shumë dyshime se sqarime, një breshëri mesazhesh nga qytetarët vërshuan, të cilët shprehnin dyshime dhe bindje se i ndjeri Enver Sheshi është viktimë e mafies qeveritare të djegësave. Këto të dhëna, këto informata shtonin se Enver Sheshi, i arrestuar për një skemë të devijimit të parave të djegësve, kishte vendosur të fliste. Dhe pas kësaj, xhelati mafioz i kësaj afere të tmerrshme, e cila ka për kokë direkt, Edi Ramën, gjeti mënyrën sipas këtyre burimeve, ta çojë në botën tjetër, dëshmitarin e rrezikshëm.
Gjatë deklaratës për mediar, kryedemokrati Berisha ka thënë se “afera e djegësve dëshmoi se Rama funksionon tërësisht si një organizatë kriminale”.
Sali Berisha: Afera e djegësve është afera më flagrante, e cila dëshmon se Edi Rama dhe ministrat e tij, funksionuan tërësisht si një organizatë kriminale. Kreu i organizatës firmosi kontratën me një kompani në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, me vendimin e Entit Kombëtar të Prokurimeve Publike, e cila i shkruante Këshillit të Ministrave se metoda e aplikuar për këtë kontratë, nuk ekziston në ligjet e vendit. Agjencia e Prokurimeve e bëri dy herë me radhë, por Edi Rama, duke e patur ndërmarrje të vetën, pavarësisht këtij vendimi, firmosi një kontratë kryekëput në interes të vetin dhe klanit të aferës së djegësve. Po kaq i implikuar në këtë aferë është Engjëll Agaçi, është Arben Ahmetaj, pa firmën e të cilit, ose pa bashkëfirmën e të cilit me Edi Ramën, asnjë qindarkë nuk mund të merrej nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave për të paguar kompaninë e tyre të djegësave. I zhytur gjer në vesh është Erion Veliaj, i cili zgjodhi që me djegësin e Tiranës, të shndërrojë fushën e Sharrës në një minierë floriri për veten dhe Edi Ramën. Zgjodhi që përmes këtij pasurimi të çmendur duke vjedhur mbi 100 e sa milionë euro për djegësin e Tiranës, të firmoste vendime që këshilli nuk i kishte marrë ndonjëherë, të firmoste në emër të qarkut, për vendime që nuk i kishte marrë ndonjëherë. Prej 6 vitesh, Veliaj vjedh qytetarët e Tiranës me një tarifë prej 28 eurosh për ton/mbetje, ndërkohë që vetë kontrata përcakton se kjo tarifë do merret vetëm për djegien, ndërkohë që ajo e kompostimit dhe depozitimit do jetë 11 euro.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se Komiteti Shqiptar i Helsinkit nuk u lejua të hetojë për vdekjen e Enver Sheshit, për të cilin ka thënë se dinte shumë të fshehta dhe kishte dëgjuar shumë.
Sali Berisha: Pra, Enver Sheshi dinte shumë të fshehta. Kishte dëgjuar shumë. Veprimet i kishte kryer me garanci të madhe për mbrojtje. Nuk jam këtu për të bërë nekropolitikë, jo! Por, në çdo rast, vdekje në rrethana të dyshimta, akti i parë me ligje kombëtare dhe ndërkombëtare, është transparenca e plotë për të gjithë ndodhitë. Çfarë ndodhi me Enver Sheshin? Bllokim total i një hetimi nga shoqëria civile. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i sinjalizuar për dyshimet e forta për vdekjen e Sheshit, dërgoi vëzhguesit e pavarur në institucionet përkatëse. Vëzhguesit e pavarur, gjetën në çdo institucion që trokitën, bllokim, mashtrim. Ata konstatuan se drejtori i burgut 313 nuk pranoi t’i lejonte ata të njiheshin dhe të merrnin të dhënat më elementare, madje as të këqyrin qelinë ku i ndjeri Enver Sheshi. Nuk u lejuan të takojnë asnjë gardian, asnjë punonjës të burgut, as ata që vuanin dënimin së bashku me të. Komiteti i Helsinkit gjeti të njëjtën situatë në Prokurorinë e Tiranës dhe Policinë e Shtetit.
Në mbyllje të denoncimit të tij për vdekjen e Enver Sheshit, kryedemokati Berisha ka deklaruar se Prokuroria refuzon raportin e OPGJ për vdekjen e Enver Sheshit.
Sali Berisha: E vërteta është se një OPGJ, për arsye që nuk do i marrim vesh ndonjëherë, ishte paraqitur në morg për të konstatuar, ose për të mbledhur të dhëna rreth viktimës. OPSH, aq sa kishte mbledhur, ia kishte nisur Prokurorisë së Tiranës, e cila mohonte kategorikisht të kishte marrë një gjë të tillë, e cila me cinizëm ekstrem, si një shpellë mafie, përgjigjej se nuk ka një çështje penale. Pra, vdes një njeri në kushte thellësisht të dyshimta, dhe prokuroria nuk gjen motiv të nisë hetime. Nuk gjen motiv se ajo merr urdhër të mbyllë gojën. Jo kryesisht, por as me inicime, as me paditë e familjes. Nuk ka një konfuzion nga autopsia. Institucionet e specializuara i kthyen mbrapsht inspektorët e Komitetit të Helsinkit me pretendimin se u duhen 30 ditë për të hapur gojën.