Një analizë e ADN-së e marrë nga viktimat e mesjetës dhe të mbijetuarit e “vdekjes së zezë” tregon se murtaja që shkatërroi Evropën në shekullin e 14-të vazhdon të ndikojë në biologjinë tonë edhe sot e kësaj dite. Jo vetëm sepse patogjeni përgjegjës është ende aktiv, por sepse pandemia vdekjeprurëse dhe e përhapur shkaktoi përshtatje në sistemin tonë imunitar të cilat kanë vazhduar të evoluojnë për qindra vjet.
Megjithëse gjenet e përfshira duket se kanë dhënë rezistencë të shtuar ndaj murtajës, shkencëtarët kanë zbuluar se të njëjtat gjene sot mund të lidhen me rritjen e ndjeshmërisë ndaj kushteve autoimune, të tilla si sëmundja e Crohn dhe artriti reumatoid.
Ky zbulim tregon se pandemitë mund të kenë efekte të papritura, dhe nganjëherë të dëmshme dhe afatgjata të cilat përcillen nëpër breza.
Murtaja e zezë është konsideruar si një nga ngjarjet më shkatërruese në historinë njerëzore, duke marrë dhjetëra deri në qindra miliona jetë në Evropë, Azi dhe Afrikë. Ajo u shkaktua nga bakteri Yersinia pestis dhe u transmetua te njerëzit nëpërmjet pleshtave për të shkaktuar një sëmundje që mund të sillte vdekjen brenda një dite. Duke qenë se murtaja e zezë ishte kaq e përhapur dhe të vdekurit varroseshin në varre masive, ka shumë eshtra që studiuesit e sotëm duhet t’i studiojnë.
Sipas studimit të publikuar në Science Alert, shkencëtarët u fokusuan në një periudhë 100-vjeçare para, gjatë dhe pas murtajës së zezë. Ata morën mbi 500 mostra nga individë që vdiqën në Londër dhe Danimarkë, të cilët përfaqësonin tre grupe; ata që vdiqën para murtajës (të marrë nga një varr masiv në Londër), ata që vdiqën gjatë dhe ata që mbijetuan dhe vdiqën kohë më vonë.
Studiuesit rikrijuan kultura të qelizave njerëzore që përfaqësonin profile të ndryshme gjenetike dhe i infektuan me Yersinia pestis. Rezultatet e tyre treguan se gjenet e identifikuara më herët në studimin e tyre u shfaqën përsëri.
Në veçanti, individët me dy kopje identike të një gjeni të quajtur ERAP2 kishin rreth 40 deri në 50 % më shumë gjasa për të mbijetuar nga murtaja sesa ata me kopje të kundërta, të cilat duket se prekeshin më shumë nga kjo sëmundje.
Kjo, sipas studiuesve, ofron prova për një lidhje të mundshme midis rrezikut autoimun dhe përshtatjes ndaj një sëmundjeje infektive që u përhap shekuj më parë.
“Të kuptuarit e dinamikave që kanë formësuar sistemin imunitar të njeriut është çelësi për të kuptuar se si pandemitë e kaluara, si murtaja, kontribuojnë në ndjeshmërinë tonë ndaj sëmundjeve në kohët moderne”, tha Handrik Poinar, studiues dhe antropolog.