Bardosh Dajko po relaksohej duke peshkuar në ujërat e Vermigliana në Ossana, komunë në Trentino të Italisë, përpara se të kthehej në punë, në picerinë e tij në Mezzana.
Por pak pas orës 18:10 të së mërkurës, teksa po hidhte grepin me kallamin e peshkimit, aksidentalisht goditi telin e tensionit të lartë. Shqiptari gjeti vdekjen e menjëhershme.
Siç raportojnë mediat fqinje, për Dajkon, i cili tetorin e ardhshëm do të festonte ditëlindjen e tij 53-të, nuk mund të bëhej më asgjë, ndonëse ekipi i emergjencës mbërriti menjëherë në vendngjarje. Alarmin e dhanë banorë të zonës, të cilët dëgjuan zhurmën pas shkarkimit të tmerrshëm.
Trupi i pajetë i Dajkos u gjet në barë pranë rrjedhës së lumit, në gjendje të tmerrshme, për shkak të shkarkimit të fuqishëm.
Lajmi i kobshëm u përhap me shpejtësi në gjithë Valle di Sole, ku 52-vjeçari dhe familja e tij janë të njohur e të vlerësuar. Ata kishin shkuar rreth 20 vjet më parë në Trentino të Italisë nga Shqipëria. Bardosh Dajko ishte me origjinë nga Vlora.
Fillimisht kishte bërë punë sezonale, më pas ishte punësuar në picerinë Al Sole di Mezzana. Puna e tij e palodhur kishte gjetur vlerësimin dhe besimin e punëdhënësve, sa kur vendosën që të dilnin në pension, ia kishin besuar aktivitetin atij.
Kështu shqiptari arriti ta ngrinte dhe ta drejtonte biznesin së bashku me bashkëshorten Adriana. Mbi të gjithë falë karakterit të tyre, por edhe talentit në kuzhinë, gjatë viteve çifti kishte arritur që të fitonte besimin e klientëve. Mediat italiane shkruajnë se humbja e Bardosh Dajkos ka tronditur mbarë komunitetin në Mezzana.