Brazili shënon ditën më të errët në kalendarin e pandemisë, me 1179 jetë të humbura në vetëm 24 orë.
Shteti amerikanolatin numëron gjithsej mbi 17,900 viktima, ndërsa sa i përket të infektuarve renditet i treti në botë, me gati 270 mijë raste.
Bilanci tragjik vjen mes paralajmërimeve se sistemi shëndetësor në shumë qytete të mëdha në Amerikën Latine rrezikojnë kolapsin. Më shumë se 85 përqind e shtretërve në terapitë intensive te Rio de Janeiro dhe Sao Paolo janë zënë. Rëndimi i krizës shëndetësore atje, ka shtyrë presidentin amerikan Donald Trump të konsiderojë ndalimin e udhëtimeve nga Brazili.
Për numrin e lartë të rasteve në SHBA, kreu i Shtëpisë së Bardhë e cilëson, si një dekoratë nderi, siç e quan, pasi kjo nënkupton se po testojnë më shumë njerëz.
“Nuk dua që njerëzit të vijnë këtu e të infektojnë popullin tonë. Nuk dua as qe ata në Brazil të jenë të sëmurë. Po i ndihmojmë më ventilator”, tha Trump. Edhe më herët, presidenti amerikan ka folur për fitore, sa i përket testimeve, edhe pse administrata e tij është vënë shpesh në qendër të kritikave për mënyrën e menaxhimit të krizës. Shtetet e Bashkuara kryesojnë listën e vendeve më të prekura nga pandemia, me mbi 1.5 milionë raste dhe gati 92 mijë vdekje, i ndjekur nga Rusia dhe Brazili.