Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka ndërruar jetë. Nishani prej muajsh ishte i shtruar në një spital në Gjermani dhe kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi.
Kanë qenë mjekët, të cilët kanë sugjeruar eutanazinë si zgjidhje përfundimtare dhe aparaturat i janë hequr. Vetë familja e Nishanit ka udhëtuar për në Gjermani, për të dhënë pajtimin e tyre.
Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i ka lënë në organizëm.
Nishani fillimisht mori ndihmën mjekësore në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, u dërgua në Gjermani.
Bujar Nishani ishte 58 vjeç dhe ushtroi detyrën e Presidentit të Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri në 24 korrik të vitit 2017.
Më herët ai kishte mbajtur poste të rëndësishme në qeveri, si ministër i Brendshëm dhe ministër i Drejtësisë.