Aktori i njohur dhe ylli i serialit “Friends”, Matthew Perry, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare. Ai u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Los Angeles.
Perry u bë i njohur sidomos me rolin e Chandler Bing në “Friends”. Ky serial u prodhua gjatë periudhës 1994-2004. Episodi i fundit i këtij seriali u pa nga 52.5 milionë persona në SHBA duke e bërë një nga episodet më të shikuara televizive në vitet 2000.
Mediat e para që raportuan se Perry ndërroi jetë ishin LA Times dhe TMZ. Ato thanë se aktori u gjet pa ndjenja në vaskë.
Warner Bros Tv, që prodhoi serialin “Friends”, deklaruan se ishin të “trishtuar nga vdekja e mikut të tyre të dashur Matthew Perry”.
“Matthew ishte një aktor jashtëzakonisht i talentuar”, thanë ata.
Perry lindi në vitin 1969 në Massachusetts, por u rrit në Ottawa në Kanada. Atje ndoqi shkollën fillore bashkë me Justin Trudeau, i cili më vonë u bë kryeministër i Kanadasë.
Perry u zhvendos në Los Angeles kur ishte adoleshent. Ai aktroi edhe në serialin “Boys Will Be Boys”, por edhe në seriale të tjera si “Growing Pains”.
Me rolin në “Friends” ai u bë yll ndërkombëtar. Në serialin komedi aktronin edhe Jennifer Aniston, Courteney Cox, David Schwimmer, Matt LeBlanc dhe Lisa Kudrow.
Perry luftoi prej vitesh me varësinë ndaj qetësuesve kundër dhimbjeve dhe alkoolin dhe u fut në rehabilitim në disa raste.
Në vitin 2016 ai tha për BBC se nuk mund të mbante mend regjistrimet për tre vite të “Friends” për shkak të pijes dhe drogës.
Perry është shfaqur edhe në disa filma si “Fools Rush In”, “Almost Heroes” dhe “Whole Nine Yards”.