Abdul Qadeer Khan, ”babai” i bombës atomike pakistaneze, vdiq në Islamabad, në moshën 85-vjeçare, nga Covid-19, tha sot transmetuesi televiziv shtetëror pakistanez, PTV.
Khan ndërroi jetë pasi u transportua në spital për shkak të problemeve të mushkërive.
Shkencëtari u konsiderua një hero kombëtar për shndërrimin e vendit të tij në fuqinë e parë bërthamore në botën islame, por në Perëndim ai u pa si një renegat i rrezikshëm përgjegjës për kontrabandën e teknologjisë në shtete të tjera.
Khan vdiq në spitalin KRL të Islamabadit.
Shkencëtari ishte pranuar në të njëjtin spital gushtin e kaluar dhe ishte larguar disa javë më parë, por ishte shtruar përsëri në spital pas një përkeqësimi të gjendjes së tij.
Presidenti i Pakistanit, Arif Alvi deklaroi se ishte “i trishtuar thellë kur mësoi për vdekjen e Abdul Qadeer Khan, të cilin e kishte njohur personalisht që nga viti 1982”.