Një 62-vjeçar nga Tirana i infektuar me COVID-19, vdiq mesditën e së hënës në Spitalin Infektiv duke e çuar në 45 bilancin e viktimave nga pandemia.
Lajmin e dha Ministria e Shëndetësisë e cila saktësoi se 62-vjeçari nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese, ishte shtruar në spital prej fillimit të këtij muaji dhe kishte 10 ditë në gjendje të rëndë.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe i rikujton qytetarëve rëndësinë që ka respektimi i masave mbrojtëse, pasi referuar ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, virusi është prezent, ka transmetueshmëri dhe nuk e ka humbur forcën e tij virusale.
Prej muajit mars, kur u konstatua rasti i parë zyrtar me COVID-19 në Shqipëri kanë vdekur 45 persona të sëmurë nga ky infeksion.
Aktualisht, pas dy javësh me një prirje në rritje të të infektuarve, në spitale janë të shtruar 80 persona, ndërsa 710 të tjerë janë ende të prekur.