Bota Vdes themeluesi i IKEA-s/ Vishej me rroba të dorës së dytë dhe...

Vdes themeluesi i IKEA-s/ Vishej me rroba të dorës së dytë dhe ngiste Volvo të vjetër edhe pse ishte miliarder

Themeluesi suedez i rrjetit të mobilieve IKEA, Ingvar Kamprad, është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare.

Kamprad, vdiq në shtëpinë e tij në Smaland, njoftoi kompania në një deklaratë për shtyp ku edhe thuhej se Kamprad ishte një nga sipërmarrësit më të mëdhenj të shekullit të 20.

Miliarderi, i lindur në 1926 në Smaland, themeloi IKEA-n në moshën 17 vjeç.

Ai përdori para që babai i tij ia kishte dhënë si shpërblim për rezultatet e mira në shkollë pavarësisht se vuante nga disleksia, për të nisur biznesin.

Emri është bashkim i inicialeve të tij, IK, dhe eja ka lidhje me Elmtaryd, ferma e familjes ku ai u rrit, kurse A-ja është Agunnaryd, fshati nga vjen ai.

Miliarderi e hapi dyqanin e tij të parë më 1965, por era e përplasi një neon dhe dyqani u dogj i gjithi.

Por ai nuk u dorëzua deri sa krijoi “Perandorinë” që njihet sot.

Në vitet e fundit të jetës së tij Kamprad është përballur me pyetje edhe për lidhjet e tij në të shkuarën me grupet fashiste, diçka që ai e ka pranuar por që e ka quajtur një gabim.

Kamprad, kishte hequr dorë nga drejtimi i kompanisë dhe nga bordi i saj që në 2013, në moshën 87 vjeçare.

Produktet e kompanisë së tij u bënë të famshme pjesërisht për shkak të thjeshtësisë dhe vlerës së tyre.

Kamprad ishte i njohur për thjeshtësinë e tij…

Ai ngiste një makinë Volvo të vjetër dhe udhëtonte në klasin ekonomik.

Në një intervistë dhënë në 2016, ai kishte thënë se thjeshtësia ishte në natyrën e Smalandit.

“Nëse më shikoni tani…nuk do të gjenit asgjë nga këto që kam veshur që nuk është blerë në treg…”, tha ai.

IKEA u çel në 1943 dhe tani ka plot 389 dyqane në të gjithë botën.