Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka qëndruar për më shumë se 7 orë në SPAK, ku është pyetur lidhur me hetimet që SPAK po kryen për inceneratorin e Tiranës.
Në një prononcim të shkurtër për gazetarët, kryebashkiaku Veliaj ka thënë se e dëshminë e tij prej 7 orësh e ka dhënë si bashkëpunëtor teksa ka shtuar se ka dhënë të gjitha shpjegimet e nevojshme për inceneratorin e Tiranës.
“SPAK ma ka rritur bindjen se është bërë një investim për së mbari, një institucion serioz. Isha me 2 kolegë hetues profesionistë dhe të disiplinuar dhe unë them se e vetmja gjë që ne mund të bëjmë është që t’i forcojmë institucionet, të bashkëpunojmë. Isha këtu si bashkëpunëtor. Kisha kohë që kisha kërkuar një takim. Po diskutonim orën 9 me 10 se kishte dhe një seancë tjetër, kështu që patëm një ezaurim total për çështjen e inceneratorit. Gjithë shpjegimet e nevojshme për mënyrën se ku dallon projekt i FC-së, i cili u rrëzua dhe ishte nisur nga ish-bashki me 37 Euro/ton dhe se si ky proces ishte krejt një gjë tjetër e pakërkuar nga investitorë të tjerë që nuk kishin lidhje me Bashkinë e Tiranës dhe kjo u sqarua. Sigurisht që u thanë dhe disa detaje të tjera.
Të dy kolegët hetues më kanë kërkuar që për çështje të hetimit dhe për çështje të sekretit hetimor duke qenë se Bashkia e Tiranës ka sjellë dhe disa prova të tjera m’u kërkua dashamirësisht që të mos i ndaj me gazetarët, do të jetë pjesë e zbardhjes së dëshmisë time”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës u kujdes që një mesazh t’ua përçonte atyre që tha se janë armiqtë e tij në politikë, por theksoi se ndihet i lehtësuar pasi dëshmoi në SPAK.
“Po ndihem vërtetë mirë që sot unë dhe ata që më duan, të ndihen më të lehtësuar që më në fund pata dhe unë mundësinë që të them dhe unë fjalën time, besoj që armiqtë e mi ndihen më të lehtësuar. Për çdo tjetër do të ju përgjigjem. Unë respektoj mbi të gjitha ata që më kanë zgjedhur dhe në këtë orë ka filluar mbledhja e Këshillit Bashkiak, çdo koment tjetër do të jua jap pasi të mbarojë mbledhja e Këshillit Bashkiak”, përfundoi Veliaj.