Ka përfunduar numërimi i votave për këshillin bashkiak të Tiranës, ku Partia Socialiste ka arritur të marrë shumicën e votave dhe këshilltarëve.
Sipas KQZ, PS ka marrë 147267 vota ose 50.43 % të totalit, një shifër më e ulët krahasuar me votat e Erion Veliajt, i cili arriti të merrte 158852 ose 54.69 %. Me 50,43% të votave, Partia Socialiste ka siguruar 36 mandate për këshilltarët.
Ndërkohë, sa i përket koalicionit Bashkë Fitojmë, diferenca me votat e kandidatit Belind Këlliçi është shumë më e madhe.
Koalicioni arriti të merrte 67999 vota për këshillin, ndërsa Këlliçi arriti të merrte 100422 vota. Koalicioni Bashkë Fitojmë ka siguruar 15 këshilltarë.
Partia Demokratike ka siguruar 4 këshilltarë, Partia Socialdemokrate 3, ndërsa nga një do të kenë Partia Republikane Shqiptare, LZHK, PDIU, Nisma Thurje dhe Lëvizja Bashkë.