Aktualitet “Veliaj është i dënuar”, kryebashkiaku akuza nga qelia ndaj prokurorit: Më shpalli...

“Veliaj është i dënuar”, kryebashkiaku akuza nga qelia ndaj prokurorit: Më shpalli fajtor pa nisur procesi i gjykimit

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar sërish nga qelia dhe postimin e fundit në rrjetet sociale e ka titulluar “Kurdisja e një paçavureje 1”. Veliaj shkruan se dje në sallën e gjyqit ka zbuluar një skandal të rëndë dhe hedh akuza ndaj prokurorit Ols Dado se në dosjen e tij ishte shkruar “Erion Veliaj është “i dënuar”.

Ky detaj ka tronditur Veliajn, i cili thotë se dëshmia e tij e penalitetit është e pastër teksa shton se ka plotësuar formularin e dekriminalizimit. Më tej, kreu i Bashkisë Tiranë shkruan se prokurori Ols Dado e kaloi situatën duke thënë se “është një lapsus që e kanë bërë shkruesit e dosjes time”.

Për Veliajn, ky vetëm lapsus nuk është, por është një hije e madhe dyshimi mbi të gjithë atë që sipas tij, është gatuar kundër tij dhe bashkëshortes së tij.

Ai e mbyll reagimin e tij duke rezervuar dyshimet mbi dëshirën e nxituar të prokurorit Ols Dado për ta shpallur fajtor ende pa nisur procesi i gjykimit.

REAGIMI I ERION VELIAJT:

Kurdisja e një paçavureje 1

Nuk mund të rri pa folur edhe për një skandal të rëndë që zbulova dje në sallën e gjyqit, e shkruajtur e zezë mbi të bardhë, që në faqen e parë të paçavures së hartuar me zell të madh nga prokurori Ols Dado.

U informova se në të gjitha gjirizet mediatike të PD-së na ishte publikuar se në dosjen time prokurori kishte shkruajtur: “Erion Veliaj është “i dënuar”, me shënimin “sipas Çertifikatës Elektronike të gjendjes gjyqësore Nr. 5488 Prot., datë 23.01.2025 të gjeneruar nga hetuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimeve, e cila gjendet në fashikullin 63”.”

Kur e mësova, ky detaj më tronditi edhe mua personalisht, ashtu siç mund të ketë tronditur jo pak njerez të tjerë sepse dëshmia ime e penalitetit është e pastër.

Dje në sallën e gjyqit, vetëm pasi unë deklarova që jam i padënuar dhe, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur me votë 3 herë radhazi nga qytetarët e mi, kam plotësuar formularin e dekriminalizimit, prokurori Ols Dado u detyrua ta verifikonte këtë me një telefonatë, (pasi siç duket, në mendjen e tij tashmë rezultoj një person i dënuar), dhe u përpoq ta kalonte këtë skandal, duke thënë se është thjesht një ‘lapsus’, që e paskan bërë shkruesit e dosjes time.

Pra, që në faqen e parë të akuzës të ngritur kundër meje na qenka bërë gabimisht një lapsus frojdjan kaq i rëndë, e njëkohësisht kaq qesharak, nga prokurori hartues i dosjes.

Po si mundet të bëhet një lapsus në një dosje hetimore? Si mund të luhet me jetë njerëzish duke e kaluar me fjalët “ishte lapsus”?

Ky ‘lapsus’, vetëm lapsus nuk është! Është një hije e madhe dyshimi mbi të gjithë atë që është gatuar kundër meje dhe bashkëshortes sime.

Tani është i qartë serioziteti me të cilin janë zhvilluar hetimet kundër familjes dhe personit tim: më e pakta, në dosjen time ka gabime trashanike, si kjo e faqes së parë, e të cilat do t’i publikoj një e nga një për publikun dhe qytetarët e Tiranës; por, rezervoj edhe dyshimet e mia mbi dëshirën e nxituar të prokurorit Ols Dado për të më shpallur fajtor ende pa nisur procesi i gjykimit.