Kryebashkiaku, Erion Veliaj, hodhi sot firmën në peticionin e ndërmarrë nga shoqëria civile për mbledhjen e 1 milionë firmave për vettingun.
Veliaj apeloi qytetarët ti bashkohen kësaj nisme, për ti dhënë fund ankandeve nëpër gjykata ku drejtësia e blen ai që ka.
Kryebashkiaku komentoi edhe protestën e opozitës, kur tha se një minorancë e zhurmshme në një çadër të ngujuar mundohet ti imponohet një shumice të heshtur.
Por ai siguroi se kjo nuk mund dhe nuk ka për të ndodhur.
“Unë e provova tek Këndi i Lodrave, u bë aq shumë zhurmë nga një grup i vogël njerëzish saqë mendohej se kush bënte më shumë zhurmë ka të drejtë. Një minorancë e zhurmshme iu imponua për disa ditë një shumice të heshtur. Besoj se është i njëjti rast sot, një minorancë e zhurmshme në një çadër të ngujuar mundohet ti imponohet një shumice të heshtur. Besoj që shumica e heshtur e ka fjalën sot, besoj se ne do të kemi 1 milion firma për vettingun, për reformën dhe për tu siguruar që gjykatat tona nuk janë një ankand dhe për tu siguruar që familjet, qyteti, bashkia, punët publike nuk bllokohen më nga këto ankande që zhvillohen në gjykata ku kush paguan më shumë ka të drejtë, kjo nuk mund të vazhdojë më.
Ka një habi shumë të madhe, kur shikon në televizor duket sikur të huajt e duan Shqipërinë më shumë se ne, të duket sikur Ambasadorët e duan Shqipërinë më shumë se ne. Kjo është ndjenjë e mirë që ata e duan Shqipërinë, por nuk mund ta duan më shumë se ne. Kush e do Shqipërinë nuk ka nevojë të thotë “O sa mirë me qenë shqiptar”. Të qënit i mirë sot do të thotë drejtësi. Nuk mund të jenë Ambasadorët të parët që kërkojnë drejtësi dhe ne të fundit.Mjafton një firmë për të bërë 1 milionë firma për vettingun dhe për ti treguar botës mbarë që Shqipërisë i dalim zot vet. Ashtu si tek lodrat, nuk do lejojmë që një grup i vogël njerëzish që bën zhurmë, një grup milionerësh, mjafton të shikoni vetëm makinat e tyre të parkuara tek SHQUP-i, për të kuptuar se nuk janë aty për fukarain por vetëm për interesin e tyre”, deklaroi Veliaj.