Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, u pyet nga gazetari Denis Dyrnjaja në Open nëse në planet e tij është edhe posti i kryeministrit nisur dhe nga deklaratat e fundit të socialistit Ervin Bushati.
“Nuk është fare, ambicia ime politike të merrem me një ngarkesë të tillë politike. Nëse do merrem me punët e qytetit nuk mund të merrem dhe me atë. Po ta keni vënë re unë nuk mungoj kurrë në mbledhjet e bashkisë, jam i fokusuar aty, pra”, tha Veliaj.
Veliaj duke analizuar qëndrimin e Ilir Metës për çështjen e zgjedhjeve tha se ky qëndrim e nxori kreun e shtetit jashtë shinave unifikuese, madje edhe ka edhe konflikt interesi brenda pasi duhet të vendoste për gruan e tij.
“Si mund të mbante qëndrim tjetër Meta, kur këshillohet gjithë ditën nga Petrit Vasili e Fahri Balliu?”, pyeti kryebashkiaku me ironi retorikisht, duke shtuar se qëndrimi më dinjitoz i ditës së nesërme të Presidentit të Republikës do të ishte dorëheqja e tij.
Ndërkaq, duke komentuar radikalizimin e qëndrimit të Metës, Veliaj tha se është marrë pasi janë parë hallet e Vasilit e Berishës që nuk kanë marrë vizë amerikane. “E di si i thonë kësaj: Ra faja nga fiku e ra si top llastiku”, citoi një këngë të vjetër tiranase kryebashkiaku i kryeqytetit, ndërkohë që shtoi se Meta ka bërë autogol politik.