Aktualitet Veliu në krye të AMP, Flamur Noka: Akt provokativ. I akuzuar për...

Veliu në krye të AMP, Flamur Noka: Akt provokativ. I akuzuar për lidhje me krimin e organizuar

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, tha se rikthimi i Ardi Veliut në Policinë e Shtetit është një ogur i keq i kësaj qeverie për çdo shqiptar që kërkon rend, siguri dhe një polici në shërbim të qytetarëve.

“Ardi Veliu, ish-drejtori famëkeq i Policisë së Shtetit, është kthyer në strukturën policore. Ai do të drejtojë Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore e cila, siç sugjeron emri, do të kontrollojë policët për shkelje etike dhe ligjore. Siç thotë populli: i varin ujkut zorrët në qafë. Ardi Veliu është kampion i shkeljeve etike dhe ligjore. Ai është kryepolici i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar, me dorën deri në bërryl në qypin e korrupsionit. Ardi Veliu, mbi të gjitha, do të kujtohet për korruptimin strukturor të Policisë së Shtetit. Me korruptim strukturor duhet të kuptojmë politizimin deri në palcë, duke e kthyer armën e Policisë në pisqollë të Rilindjes”, tha Noka në një deklaratë për mediat.

Sipas tij, Veliu është personi që infektoi policinë e shtetit me virusin e prekjes dhe përfshirjes në zgjedhje. “Me këto dy rekorde të zeza, Partia Demokratike paralajmëron se Ardi Veliu është rikthyer, jo për ta mbikëqyrur Policinë, por për t’u siguruar se në zgjedhjet e ardhshme ajo do të jetë sërish dora e zgjatur dhe e pandëshkuar e Rilindjes në proces. Si dhe për të ruajtur lidhjet e vjetra me botën e krimit. Ardi Veliu e ka mbi vete damkën e Elbasanit në zgjedhjet e shkuara. Jo vetëm peshën e një vrasjeje, por edhe prishjen e provave në vendngjarje”, tha ai.

“Riqarkullimi i Veliut nuk është thjesht kriza për kuadro të ndershëm në Polici, por filozofia e kryeministrit, ministrit dhe kësaj qeverie, sipas të cilëve monitorimi i Policisë u lihet të inkriminuarve. Partia Demokratike e sheh si të rrezikshëm dhe provokativ këtë emërim. Duke e ndarë armën e policisë nga pisqollat e pushtetit, ne garantojmë, si policët e ndershëm, ashtu dhe opinionin publik, se të korruptuarit dhe vrasësit e mitit të shtetit, siç është Ardi Veliu, do të japin llogari për çdo përfshirje në korruptim dhe inkriminim”.