Amal Naim, banore e Gazës, është dëshmi e gjallë e asaj që po ndodh në Palestinë. Ajo ishte e ftuar në emisionin “Opinion”, ku foli për ato që përjetoi në Gaza duke qenë se Amal sapo është riatdhesuar.
Ajo tregoi se ka shkuar në Gaza në vitin 1998 bashkë me familjen. Asokohe ishte ëndërr e babait të saj.
“Shkuam për vizitë për të takuar familjen e babit pas 30 vitesh për herë të parë në jetën e tij”, tha ajo.
Amal theksoi se ata shkuan në zonën e Beit Hanoun, në veri të Gazës, në kufi me Izraelin.
“U vendosëm atje, familje e madhe. Fillova studime aty. Fillova punë. Studiova për infermieri”, u shpreh ajo.
Amal është e martuar me palestinez dhe ka katër fëmijë. Katër fëmijë ka edhe i vëllai i saj, i cili nuk ka mundur që të rikthehet në Shqipëri. Të dy së bashku kanë lindur këtu, por që nuk janë kthyer më që prej momentit kur shkuan në Gaza.
“Pashë shumë luftëra. Nuk është lufta e parë që kam jetuar në Gaza. Kjo është lufta më e tmerrshme që kam përjetuar”, shtoi Amal.
Amal tregoi për Blendi Fevziun momentet e para kur nisi lufta.
“Shumë e vështirë. Situata ishte shumë e keqe. Shtëpia ime u bombardua dy herë në 2014 dhe këtë vit. Ky është vendi ku ne po dilnim rrugës dhe është tek spitali Al-Shifa. Ishim mbledhur në këtë vend duke pritur për të gjetur një makinë ose një rrugëzgjidhje për të shkuar në jug të Gazës. Natën e parë kur filloi lufta ishte e papritur, na dërgonin nëpër celulare që dilni nga shtëpia. Lajmëronin që dilni nga shtëpia, largohuni nga qyteti sepse do bombardohet qyteti juaj. Dolëm në mes të natës mes bombardimeve me katër fëmijët. Jo vetëm unë, gjithë familja, gjithë qyteti. Në mes të natës duke vrapuar, duke qarë nuk mundëm dot të merrnim as plaçkat sepse ata bombardonin. Me frikë fëmijët qanin, u thoja mos kini frikë mam, me lutje, o Zot na mbro”, tha Amali e cila vajzën e madhe e ka në vit të dytë të gjimnazit, djalin 13 vjeç dhe dy vajzat e tjera 10 e 8 vjeçe.
Sa i përket ushqimit ajo tha se kanë jetuar me ndihma.
“Morëm diçka me vete nga shtëpia. Kur shkuam në shkolla të tjera, me konserva peshku dhe konserva mishi, sallame. Na sillnin atje ndihma. Bukë ishte shumë vështirë për të blerë bukë. Nuk kishte bukë sepse nuk kishte gaz që furrat e bukës të punonin, nuk kishte karburante. Radhë të tëra për të blerë bukë sepse na e jepnin me racionim që të mjaftonin për njerëzit e tjerë”, tha ajo.
Ndërkohë në Gaza janë bombarduar xhamitë. Si pasojë e bombardimeve të forta shtoi Amal, shumë njerëz në Gaza kanë probleme me dëgjimin.
“Na ka humbur dëgjimi nga bombardimi. Gjithë këto luftëra që kanë kaluar shumë vetë, fëmijë, njerëz kanë humbur dëgjimin. Problem i madh në Gaza u bë problemi i dëgjimit nga bombardimet”, u shpreh ajo.
U kthye në Shqipëri me fëmijët, Amal Naim: Vëllai dhe bashkëshorti nuk e kaluan kufirin e Gazës
Amal Naim u kthye në Shqipëri me fëmijët e saj, por pas ka lënë bashkëshortin dhe vëllain.
Amal Naim rrëfen se bashkëshorti i saj nuk e kaloi dot kufirin e Gazës, pasi nuk kishte pasaportë shqiptare, kurse vëllai vendosi të qëndronte për shkak të gruas së tij, e cila gjithashtu nuk kishte pasaportë për të ardhur në Shqipëri.
Amal Naim: Ato më bënë vetëm një leje kalimi.
Blendi Fevziu: Autoritetet shqiptare?
Amal Naim: Autoritete shqiptare, për të dalë nga Gaza. Edhe më morën, më thanë që për burrin nuk mund të bëjmë dot gjë sepse ai nuk…
Blendi Fevziu: Nuk është shtetas shqiptar.
Amal Naim: Nuk bënte as për gruan e vëllait tim.
Blendi Fevziu: Po vëllai pse qëndroi në Gaza?
Amal Naim: Për gruan e vet.
Blendi Fevziu: Për gruan? Sepse bashkëshorten, nuk e ekstradonin dot?
Amal Naim: Jo, nuk e nxirrnin dot si burri im. Ajo nuk ka domethënë pasaportë palestineze.
Blendi Fevziu: Pasaportë shqiptare?
Amal Naim: As palestineze, as shqiptare domethënë letërnjoftimi…
Blendi Fevziu: Po letërnjoftimi. Domethënë s’ka pasaportë fare?
Amal Naim: Po.
Blendi Fevziu: Kështu që ishte e pamundur të dilte nga territori i Gazës?
Amal Naim: Po e pamundur të dilte nga aty.