Sport Vëllai i Higuain konfirmon: Lamtumirë Juve, Gonzalo nuk do të luajë më...

Vëllai i Higuain konfirmon: Lamtumirë Juve, Gonzalo nuk do të luajë më në Itali

Martesa mes Gonzalo Higuain dhe Juventusit është në fund. Pas “mirëpritjes” së Andrea Pirlo, i cili bëri të ditur se nuk ka hapësirë ​​për sulmuesin argjentinas në projektin e ri, arrin konfirmimi i vëllait dhe agjentit të “Pipita”. Nicolas Higuain, përmes “Tuttosport” njofton divorcin midis sulmuesit dhe “Zonjës së Vjetër”: “Gonzalo ka ende një vit në kontratën e tij, por klubi dhe Pirlo kanë vendosur në mënyrë të njëanshme t’i thonë lamtumirë. Për këtë arsye duhet të gjejmë një zgjidhje, që përfaqëson një marrëveshje të mirë për të gjithë. Ende nuk kemi hyrë në detaje, kemi diskutuar vetëm aspektin teknik. Pirlo dhe menaxherët kanë vendosur se nuk ka vend për Gonzalo, tani do të kërkojmë një marrëveshje. Jam i bindur që nuk do të ketë probleme të mëdha, sepse ruajmë një marrëdhënie fantastike me menaxherët. Unë mendoj se do të duhen disa javë, edhe për arsye logjistike. Vetë jam në Buenos Aires dhe, duke mos pasur ende një pasaportë komunitare, po luftoj për të arritur në Torino për shkak të pandemisë. Ne po flasim në distancë, por do të jetë e rëndësishme të takohemi”.

Destinacioni i ri për Higuain, sipas “TYC Sports”, duket se do të jetë Inter Miami, ku tashmë ka nënshkruar Matuidi: “Ne kemi marrë shumë oferta nga Franca, Anglia, Spanja, Kina, SHBA… Shumë propozime, por asnjë për t’i tundur këmbët. Do t’i vlerësojmë gjërat me qetësi, por dy aspekte janë të sigurta. Këto dy mundësi i përjashtoj kategorikisht: Gonzalo nuk do të luajë më në Itali, as te Boca Juniors. Ai u rrit te River dhe nuk do të kalojë kurrë te rivalët. Këto zëra janë budallallëk i madh, sikurse të tjerët se Gonzalo mund të ndalet. Nuk është koha akoma, ai dëshiron të luajë. Ndihet i fortë me kokën dhe fizikun e tij. Ai do të vendosë, por dëshiron të luajë përsëri dhe jashtë vendit. Ndoshta do të kthehet në Argjentinë në të ardhmen, jo tani”.

Lamtumira e “Pipita” nga bardhezinjtë i një shije të hidhur në gojë: “Ne prisnim që Pirlo t’i jepte një shans Gonzalo, pasi ende flasim për një sulmues, i cili ka shënuar 350 gola në vitet e fundit. Për t’i arritur ato duhen dhjetë vite, por fatkeqësisht gjithçka harrohet shpejt. Ambicia e Juventusit është të fitojë Ligën e Kampionëve, por nuk e di sa lojtarë kanë fituar 3 tituj kampionati, duke shënuar 66 gola në total. Sidoqoftë, ne jemi njerëz të futbollit dhe e dimë se këto gjëra mund të ndodhin. E vlerësuam sinqeritetin e Pirlos, i cili i tha Gonzalo atë që mendonte. Është një vendim i klubit dhe në çdo rast po flasim për drejtues të shkëlqyeshëm, që lëvizin me mençuri. Dzeko ose Suarez, në vendin e tij? Shikoni statistikat dhe vlerësoni. Duke thënë këtë, nuk më pëlqen të flas për të tjerët. Unë e përsëris: zgjedhja i takon Juves”.

Sidoqoftë, Nicolas Higuain përjashton kategorikisht një kthim të bujshëm të vëllait të tij te Napoli: “Nëse do të flisja me De Laurentiis? Jo. Për çfarë mund të flisnim? Për kinema?”