Katër ditë para se të qëllohej për vdekje nga vëllai i tij, Dritan Muskurti, kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje në Gjykatën e Tiranës. 44-vjeçari kërkonte mbrojtje nga vëllai i tij, Arsen Muskurti, i njëjti që pasditen e së martës mbërriti i qetë tek biznesi i tij pranë rrugës “Myslym Shyri” në kryeqytet dhe hapi zjarr drejt të vëllait dhe kunatës Nora Muskurti, duke i varë në vend.
Sipas të dhënave zyrtare, kërkesa për “urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje” ishte regjistruar në 26 gusht. Gjykata nuk mundi ta shqyrtojë, pasi, ndonëse ishte kërkuar mbrojtje e menjëhershme, seanca e parë gjyqësore për të ishte caktuar më 6 shtator.
Nga ana tjetër, prej më shumë se 1 viti vëllezërit Muskurti ishin në një përballje gjyqësore për një shumë të konsiderueshme financiare në lidhje me pronësinë e një agjencie turistike, të krijuar bashkë vite më parë. Në këtë proces civil viktima Dritan Muskurti në rolin e paditësit, kërkonte nga vëllai i tij Arsen, kthimin e një shumë prej më shumëse 17 milionë lekësh të rinj. “Detyrimi i të paditurit t’i kthejë paditësit shumën prej 17.3 milionë lekë si dhe interes mbi këtë shumë nga data 01.10.2018 deri në ekzekutimin e detyrimit”, thuhej në objektin e padisë. Ky proces kishte nisur në janar të vitit të kaluar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa seanca e radhës ishte caktuar në 27 shtator.
Arsen Muskurti u arrestua dy orë pas krimit të dyfishtë për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, krim për të cilin Kodi Penal parashikon dënim jo më pak se 20 vjet burg, deri në burgim të përjetshëm. Në ditët në vijim ai do të dalë në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë./A2CNN