Nga Edmond Ismailati
Fati i njeriut është i shkruajtur dhe bashkë me të, lidhen edhe fatet e vendeve ku ata vendosin të jetojnë, punojnë dhe të japin kontributin e tyre në fusha të ndryshme të jetës. Një prej këtyre rasteve është edhe ajo e familjes Malka, e cila është një ndër pesë familjet e para memaliote, të cilat më vonë arritën të bëheshin 14 familje dhe u vendosën me banim përtej lumit Vjosë, në veriperëndim të pyllit Karaule, aty ku ishin vendosur me banim edhe familje të tjera pasi, kryefamiljarët dhe pjesëtarët e tjerë të këtyre familjeve punonin gjithashtu në Sektorin e Parë që sapo ishte hapur dhe po shfrytëzohej për nxjerrjen e qymyrgurit.
Aty punonte edhe kryetari familjes Malka, i cili quhej Bastri. Bastri Malka vinte në këtë galeri të sapohapur si një minator me shumë përvojë dhe e merrnin si specialist, pasi kishte punuar në minierën e Selenicës dhe të Kërrabës. Po në këtë lagje të parë memaliote, në vitin 1949 u bë edhe vendlindja e fëmijës së tij të parë, të cilin e pagëzoi me emrin Muharrem. Ndërsa aty ku është ndërtuar sot qyteti i Memaliaj, lindën edhe tre fëmijët e tjerë; Mehdiu, Bekimi dhe Shyqyriu, të cilët do të ngeleshin jetim në moshë shumë të vogël; si i vëllai i madhë që ishte vetëm 8 vjeç e deri tek më i vogli, i cili ishte vetëm 2 vjeç.
Për babain e tyre Bastriun, u bë më e vështirë për të përballuar i vetëm, jo vetëm punën si minator, por edhe për t’u kujdesur për fëmijët e tij të vegjël, të cilët donin një kujdes të veçantë. Si e tillë, vendosi të rimartohet dhe nga kjo martesë vjen në jetë edhe djali i vogël, të cilin e pagëzon me amrin Flamur. Të gjithë vëllezërit Malka rriteshin me shumë kujdes dhe të njëjtën dashuri edhe nga nënë Irfani. Xha Bastriu punonte me përkushtim dhe pa iu shmangur vështirësive të ndryshme, që përballej çdo ditë me nëntokën e deri aty sa humbi edhe njërin sy.
Si invalid që ishte, më vonë punoi si roje i depos së dinamitit, e cila ishte ndërtuar në Karaule afër Sektorit të Parë, ku po në brendësi të territorit rrethues të këtij objekti, ndërtoi edhe një kopësht, të cilin e mbillte me perime të ndryshme, jo vetëm ato të stinëve pranverore e verore, por edhe me ato dimërore, pasi me anë të saj ndihmonte edhe ekonominë e familjes së tij.
Për punën e tij, si një ndër minatorët e parë të minierës, ishte vlerësuar me një sërë dekoratash, madje të arrin të mendosh që mund t’i kenë mohuar edhe të drejtën për të gëzuar titullin “Heroi i Punës”, siç nuk janë vlerësuar edhe të tjerë me këtë titull edhe pse e kanë merituar. Ishte e çuditshme, pasi kjo familje me pesë djemtë jetonin në një hyrje; dhomë e kuzhinë dhe nuk u ankuan asnjëherë edhe pse shumë familje të tjera merrnin zgjerime të cilat në atë kohë konsideroheshin edhe si luks! Por fëmijët e xha Bastriut, edhe pse babai i tyre ishte një veteran i minierës dhe memaliot i thjeshtë dhe i ndershëm që gëzonte respektin e të gjithë atyre që e njihnin e më gjerë, e nderuan atë akoma më shumë duke dhënë edhe ata, kontributin e tyre në maksimum, në fusha të ndryshme të jetës së këtij qyteti e veçanërisht në atë të artit, të cilët futeshin tek ndër të parët në fillimet e saj.
Zanafilla e rrugëtimit të tyre, lindi nga xhaxhai i tyre Muharrem Malka, emër ky i njëjtë që gëzonte edhe i nipi i tij, djali i madh i xha Bastriut. Xhaxhan e tyre Muharemin, të gjithë e mbajnë mend, pasi ishte bërë një figurë e dashur për të gjithë memaliotët e më gjerë. Ai ushtronte profesionin e infermierit, ku u shërbente me përkushtim, jo vetëm bashkëqytetarëve, por ishte edhe infermieri i parë që shoqëronte ekipin e futbollit “Minatori”, të cilin e tregonte gjithashtu edhe një sportdashës të flaktë të këtij ekipi. Krahas punës së tij si infermier, ai merrte pjesë edhe në lëvizjen amatore të qytetit ku mbahet mend nga të gjithë si xhezbandist i orkestrës së Pallatit të Kulturës, gjithashtu dhe një aktor amator, jo vetëm i apasionuar por edhe i talentuar i shumë roleve nëpër skeçet e estradave, komedive, dramave që zhvilloheshin në atë kohë. Xhaxhai i tyre infermieri Muharrem Malka ka luajtur edhe në dramën “Njerëz me bluza të bardha”. Ai u bë shkas që frymëzoi dhe i futi në rrugën e artit edhe nipërit e tij, vëllezërit Malka, por është e pamohueshme edhe puna dhe përkushtimi i udhëheqësit artistik Fatmir Meçe, i cili mbështeti në maksimum të tre vëllezërit Malka, si Muharremin, Mehdiun dhe Bekimin, që nga momenti i nxjerrjes në skenë prej tij e deri për aq kohë sa ai punoi në Pallatin e Kulturës së Memaliajt.
I pari ishte i nipi i tij Muharremi, i cili edhe pse punonte si ushtarak, kohën e lirë e kalonte në Pallatin e Kulturës së qytetit si aktor amator i estradën ku luante role të ndryshme në skeçe, parodira, drama dhe komedira. Si aktor, ai ka shkëlqyer në vitet 1960-1972 e në vazhdim. Interpretimet e tij me shumë mjeshtëri nëpër skena të ndryshme të vendit si; në Tepelenë, Përmet, Këlcyrë, Delvinë, Selenicë, Patos, Kuçovë, etj, kishin bërë për vete edhe shumë artdashës. Në një nga sukseset që ai ka arritur me lojën e tij, ku luante bashkë me aktorë të tjetë të talentuari si; Rako Laska bashkë me vëllan e tij, Mehdi Malka, që tashmë sot është edhe një ndër aktorët e mirënjohur në skenën kombëtare, ishte ajo në skenën e Beratit përgjatë një takimi kombëtar që u zhvillua në tetor të vitit 1972. Aty merrnin pjesë më shumë se njëzetë trupa të tjerë artisike nga i gjithë vendi. Ky sukses u arrit në saj të kujdesit e punës së palodhur të udhëheqësit artistik Fatmir Meçe dhe të rregjizorit Note Bozo, të cilët kishin punuar shumë me aktorët e trupës tonë. Madje niveli i lartë i interpretimeve të aktorëve të trupës sonë, ku bënte pjesë edhe Muharrem Malka, e çuan që trupa e Pallatit të Kulturës së Memaliajt të fitonte çmimin e parë. Gjithashtu Muharremi ishte pjesë e korrit të burrave, por edhe pjesë e fanfarës muzikore të qytetit, ku luante me instrumentin e Baritonit. Kontributi i tij në fushën e artit u ndie shumë herë edhe në atë të vendosjes në skenë të shumë shfaqjeve të trupave amatore që kishin sektorët e minierës dhe konkuronin me njëra-tjetrën.
Për të mësuar më shumë për Muharremin, pyeta muzikantin, kineastin dhe skenografin Rakip Zhupa; një nga ish punonjësit e Pallatit të Kulturës së Memaliajt, i cili shprehet: “Përsa i përket vëllezërve Malka, unë duhet të të shkruaj një libër të tërin për të treguar meritat e secilit që kanë dhënë për qytetin tonë të dashur, por meqenëse ju doni të dini për Muharrem Bastri Malka, po të shkruaj shkurtimisht. Muharremi ka marrë pjesë në “Estradën e Qytetit” dhe ishte baza e humorit të skeçeve dhe të parodive; me një fjalë, ishte aktori i parë, kështu i themi ne të artit. Muharremi qe edhe frymëzimi i vëllezërve të tjerë si; Mehdinit, Shyqos dhe i Bekimit, ky i fundit ishte dhe saksofonisti më i mirë. Muharremi na jepte kurajo dhe forcë edhe ne të tjerëve për të vazhduar më tej aktivitetet e këtij qyteti. Ai aktivizohej dhe me Estradën e rrethit të Tepelenës; edhe aty ishte një aktor i përsosur. Në krahë kishte aktorin e trupës Rako Laska dhe mësues Asaf Saliaj nga Tepelena. Mbas viteve 1980-të, Muharremi u tërhoq nga skena duke ua lënë vendin të rinjve. Ai ishte dhe në fanfarën e qytetit që në ditët e krijmit të saj e deri sa u largua në qytetin e Pogradecit që do të punonte si ushtarak. Ai luante në isntrumentin e Baritonit dhe atë të Tenorit. Besoj se ju kam ndihmuar sadopak me informacionet që më kërkuat në lidhje me Muharremin.”
Një tjetër nga vëllezërit Malka, i cili ka dhënë kontribut të madh në rrugën e artit, do ta jepte i dyti nga vëllezërit, që ai tashmë është një figurë e dashur dhe e mirënjohur, jo vetëm për artdashësit memaliotë, por edhe për mbarë shqiptarët. Ky është Mehdi Malka, i cili u ngjitë në skenë në moshën 14 vjeçare, i frymëzuar dhe i nxitur nga i vëllai i tij më i madh, Muharremi. Ishte koha kur po zhvilloheshin aktivitetet midis trupave të lagjes, një traditë kjo që vazhdoi deri sa u ndërruan sistemet. Mehdiu u prezantua për herë të parë në këtë aktivitet me trupën e lagjes së tij, me një monolog të zgjedhur prej të vëllait të tij, Muharremit, i cili besonte se ishte shumë i përshtatshëm për Mehdiun, që u duartrokit nga artdashësit memaliotë, të cilët dinë të vlerësojnë pa të dhurojnë duartrokitje.
Përgjatë kohës që ai punonte në minierë, si ndihmës i veteranëve të minierës si; Guçe Guma dhe Nebi Hoxha, të cilët kishin një humor të veçantë, Mehdiu përfitoi shumë prej tyre duke u marr gjithashtu edhe me homorin e minatorëve të tjerë dhe duke e venë në skenë. Prandaj humori brilant i Mehdiut ishte më i besueshëm dhe më i duartrokituri për aq kohë sa ai debutoi në këtë skenë. Humori i tij i veçantë, bënte që të mbushej salla plot e përplot me bashkëqytetarët e tij dhe artdashësit e zonës përreth, pasi minatorët dhe punëtorët e tjerë, që punonin në sipërfaqen e saj, shikonin vetveten. Përveç një aktori të nivelit profesionist, Mehdiu ishte dhe një bashkëqytetar i komunikueshëm, i thjeshtë, i dashur dhe i sjellshëm me të gjithë, pasi edhe sot gëzon respektin e të gjithë memaliotëve, të cilët shprehen me fjalët më të mira.
Më pas, u bë pjesë e trupës së Estradës së qytetit ku lëvroi me mjeshtëri të nivelit profesionist, jo vetëm monologun, por edhe kupletin, pantomimat, pardoditë, grimcat humoristike, vodvilin, etj. Në të njëjtën kohë, Mehdiu kishte filluar që të luante edhe futboll si sulmues i majtë me ekipin e “Minatorit”, por rrugën e artit e vazhdoi me një besim të patundur se një ditë do të konkuronte dhe do të fitonte konkursin për të vazhduar studimet e larta, të cilat i kreu me sukses në vitin 1983. Ky vit përkon me diplomimin e tij në Institutin e Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve dhe fillon punë si aktor në Estradën Profesioniste të Ushtarit: në Estradën e Tiranës dhe më pas në Teatrin Kombëtar.
Pra, ishte ky Mehdiu, ngaqë ishte shumë i talentuar me humurin e tij komik, i bënte të gjithë për të qeshur, saqë njerëzit e merrnin për njeri jo serioz dhe qesharak, por kështu ndodh gjithmonë me talentet e lindur, pasi e kanë dhuratë nga Zoti, si pjesë më me vlerë që i ndihmon, për të patur një të ardhme më të lumtur të jetës së tyre. Është një ndër aktorët më me zë të Teatrit Kombëtar dhe ka luajtur me dhjetëra role nëpër komedi dhe filma me shumë aktorë të tjerë të mirënjohur të skenës së teatrit dhe të filmit shqiptarë. Është vlerësuar gjithashtu me çmimin: aktori më i mirë i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “MomoAkt 2016”, që u zhvillua në Pejë të Kosovës në vitin 2016. .
Për kontributin e tij në ngritjen e nivelit profesionist të artit memaliot dhe arritjet e suksesit të tij në shkallë kombëtare, të cilat e kanë promovuar gjithashtu, jo vetëm Mehdiun, por edhe vendlindjen e tij për të cilën është gjithmonë krenar, në vitin 2007-te, Këshilli i Bashkisë së Memaliajt e vlerëson me titullin “Qytetar Nderi”
Është momenti që të sjellim në kujtesën e memaliotëve, por edhe të atyre që nuk janë në dijeni se shumë bashkëqytetarë, në shumë raste janë lënë qëllimisht në harresë dhe të tjerë janë penguar po qëllimisht për të mos e gëzuar këtë vlerësim të merituar, pasi kështu ndodhë kur disa nga (ish) anëtarët e Këshillit Bashkiak, nuk vlerësojnë ata që e meritojnë duke u nisur nga disa kritere, por vlerësojnë ata që i kanë të afërm, miq, shok, të njohur, servila e deri tek ata që paguajnë shuma të majme të cilët kalojnë të parët me katapultë. Fenomene të tilla të mos vlerësimit të vlerave janë ndeshur edhe në momentet kur janë paraqitur në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë së Memaliajt emrat e Mehdi Malka (aktor), Muhedin Tarkaj (futbollist) dhe Agron Llakaj (aktor) për t’u miratuar dhe dhënë titullin “Qytetar Nderi i Memaliajt”. Falë vendosmërisë të një nga këta ish këshilltarët, i cili është mësuesi Namik Caushi, u bë e mundur që këta të pagëzoheshin me këtë titull. Këtë e kam mësuar përgjatë shkëmbit të koorespodencave që kam pasur me mësues N. Caushi në lidhje me marrjen e disa të dhënave për pasurimin e shkrimeve në fjalë, siç është edhe ajo e saktësimit të datës që mban vendimi i Këshillit që bëri “Qytetar Nderi të Memaliaj”, aktorin Mehdi Malka.
Në një nga këto letrat e tij, ai shprehet: “Përshëndetje Mondi! Ngaqë më pyet për të mësuar me saktësi se kur është shpallur vendimi “Qytetar Nderi i Memaliajt” për Mehdin Malka, përkon në një ditë edhe me atë të Muhedin Tarkaj dhe Agron Llakaj, të cilët janë bërë “Qytetar Nderi” vetëm me veton time, mbasi kryetarët e grupeve partiake mendonin se ata nuk kishin dhënë kontribut qytetar për Memaliajn, në atë masë që ta meritonin, si p.sh: Spiro Kreci, i cili krijoi edhe fanfarën e qytetit, të cilën nuk e kishin shumë qytete më të mëdhenj se qyteti ynë i dashur Memaliaj, apo im atë Karafil Asllan Caushi, i cili krijoi ekipin e futbollit të rrethit në vitin 1947-të dhe u fali me djemtë e tij emocione qytetareve, jo vetëm memaliotëve por dhe mbarë rrethit. Por unë ua argumentova klasin dhe potencialin e vlerave të tyre, të cilët do ndihmonin dhe ngrinin qytetarinë tepelenase më lartë, në range kombëtar. Të gjithë këshilltarët, mbasi më dëgjuan, më respektuan duke rënë edhe dakord për t’i vlerësuar këta bashkëqytetarë. Data e vendimit të Këshillit Bashkiak, për dhënien e të tre vendimeve është 22.12.2007.”
Në vlerësimet e një aktori tjetër memaliot Gëzim Mullaraj, ai shprehet: “Respekt për ju që motivoni me ndjenjë dhe pasion, gjithçka të mirë nga qyteti ku jemi rritur. Sot ky qytet, nuk e ka më sharmin, sepse kultura dhe sporti kanë vdekur, por mbajtja gjallë e të kaluarës, ndoshta mund të jetë një shkundje për mirë. Le të shpresojmë?! Nga ana tjetër, mendoj se të gjithë duhet të bashkohen me përpjekjet e tua, për t’i motivuar më shumë ata dhe për t’i zgjuar nga gjumi letargjik. Përgëzimet e mia vëllazërore dhe nderimet e mia si bashkëqytetar, që pasionin tuaj po e kthen në “detyrë”. Në lidhje me pyetjen që më bëni për vëllezërit, do të shkruaj diçka modeste për Mehdi Malken. Mehdi Malka është i vetmi aktor, artist shumë dimensional, i përmasave që i kalojnë kufijtë e Shqipërisë. Është i vetmi memaliotë, që me përformancën e tij të shkëlqyer, të mbërthen për të shijuar interpretimet virtuoze në skenën e teatrit dhe jo vetëm, por është aktor, i cili duket që nga mizanskena, etydi, improvizimi dhe çdo gjë tjetër që arti kërkon. Është zoterues fantastik i plastikës dhe frymës që përcjell, aq shumë sa të lë pa frymë. Jam i mendimit se Mehdiu me botën e tij të brendshme, plot kolor, duhet të shpërthej edhe në rolet dramatike. E them këtë sepse e njoh shpirtin e tij të “trazuar”, anën melankolike, si dhe ndjeshmërinë e tij deri në sublimitet. Ne, nuk duhet të jemi të gëzuar që Mehdiu është pjesë e Teatrit Kombëtar, sepse duhet të ndodh e kundërta: Teatri Kombëtar duhet të jetë i privilegjuar dhe me fat, duke na “vjedhur” dhe “rrëmbyer” djalin e qytetit të Memaliajt, i cili tashmë ndodhet në panteonin e artit, sepse ka ditur të shkëlqejë. Respekt për Mehdi Malka, mbizotëruesin përfekt të skenës në mënyrë mjeshtërore.”
Ndërsa aktori komik memalioti Myzafer Abedini shprehet: “I falenderoj të gjithë memaliotët që më kanë vlerësuar, por dhe shokët e mi të skenës! Pa ata, unë nuk do të isha askushi. Nuk e them për modesti, por them atë që ndjej. Unë do te veçoja disa nga këta artistë shumë të mirë si: Muharrem Malkën (i vogli), i cili është një artist me plastik të mrekullueshme: Mehdi Malkën, një artist që të gjithë e njohim tashmë, pasi s’ka nevojë për komplimente ngaqë është edhe një njeri shumë i mirë e me zemer të madhe.”
Ndërsa aktori komik memalioti Myzafer Abedini shprehet: “I falenderoj të gjithë memaliotët që më kanë vlerësuar, por dhe shokët e mi të skenës! Pa ata, unë nuk do të isha askushi. Nuk e them për modesti, por them atë që ndjej. Unë do te veçoja disa nga këta artistë shumë të mirë si: Muharrem Malkën (i vogli), i cili është një artist me plastik të mrekullueshme: Mehdi Malkën, një artist që të gjithë e njohim tashmë, pasi s’ka nevojë për komplimente ngaqë është edhe një njeri shumë i mirë e me zemer të madhe.”
Ndërsa në vazhdim vjen edhe komenti i Merjeme Lufta Arapit e cila shprehet: “Myzafer Abedini ka qenë një ndër shokët e veçantë. Shok të rinjë zë plotë, por shok fëmijërie nuk zë dot … Ata ngelen në kujtesë të freskët dhe të dashur si engjëjt, sikurse ka qenë dhe mosha. Të gjithë si brez, u jemi mirënjohës kompozitorit Fatmir Meçe, i cili më ka ndihmuar edhe mua për të më nxjerr për herë të parë në skenë me vellezërit Malka. Mbaj mend, kur unë isha anëtare e Këshillit Bashkiak të Memaliaj, i dhamë me të drejtë titullin “Qytetar Nderi të Memaliaj”, për kontributin e tij qytetar në fushën e artit dhe të kulturës.”
Për kontributin e tij në fushën e artit, aktori i mirënjohur Mehdi Malka është dekoruar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani me Urdhërin “Mjeshtëri i Madh” (2017). Padyshim që kontributi i tij është më i madh nga çfarë lartëpërmenda, të cilin do ta sjell në një shkrim enkas për këtë aktor të madh tragjiko-komik të skenës shqiptare e më gjerë. Ky është Mehdiu, nga një punëtor i thjeshtë në repartet e ndryshme të minierës së Memaliajt, më pas shofer, ku kohën e lirë e kalonte duke luajtur futboll e duke bërë art, arriti të prek ëndërrën e tij, të cilin e përjeton edhe sot.
I treti nga vëllezërit Malkaj është Bekimi, i cili krahas punës në sektorin e investimeve në minierë, kohën e lirë e kalonte në Pallatin e Kulturës si instrumentist. Ai kishte mbaruar në Tiranë një shkollë 1-vjeçare për instrumentin e klarinetës. Duke marrë njohuri nga ky instrument, i shtohet pasioni për të zotëruar edhe instrumentin e saksofonit. Ai luante me saksofon me shumë mjeshtëri dhe ishte bërë pjesë e orkestrës së Pallatit të Kulturës. Bekimi luante me saksofon edhe me fanfarën e qytetit. Ai ishte një saksofonist i nivelit profesionist që i jepte më shumë vlera orkestrës së trupës. Gjithashtu, ai ka luajtur me mjeshtëri nga repertore të huaja edhe me orkestra të tjera nëpër dasmat e memaiiotëve e më gjerë. Bekimi në një nga emrat e vajzave të tij e pagëzoi me emrin Brikena, emër ky që ngjalli mamanë e tij, të cilën e quanin Bike që ndërroi jetë në moshën 31-vjeçare. Bekimi me lojën e tij në saksofon, mbahet mend si një si instrumentist i nivelit profesionist.
I katërti nga vëllezërit është Shyqyriu, i cili edhe ky ndoqi rrugën e vëllezërve të tij më të mëdhenj. U aktivizua për një kohë, si aktor amator nëpër role të ndryshme, me trupën e Estradës së qytetit të Memaliajt. Më vitin 1972, shkon në Tiranë për të studiuar 4-vjet për regjisurë. Pasi mbaroi shkollën e kulturës, kryen stazhin 1-vjeçar duke punuar gjashtë muaj në Shtëpin e Kulturës së Izvorit, ku zëvendëson regjisorin Aguim Lika, i cili vjen me punë si regjisorë në Memaliaj dhe gjashtë muaj në prodhim, në minierë; në frontin më të vështirë që quheshin ciliqe. Më pas punoi si regjisor (1977-78) në Pallatin e Kulturës së Tepelenës ku zëvendësoi Note Buzon dhe në vitin 1978 shkon në Lazarat për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Mbasi kthehet nga ushtria, më 1980, punon për gjashtë muaj në Shtëpinë e Kulturës së fshatit Zhapokikë. Pasi martohet, vendos të largohet nga Memaliaj dhe vendoset me punë në qytetin e Vlorës, por kjo nuk ishte aq e lehtë, pasi ndeshi pengesa nga pushteti vendor dhe iu desh ndërhyrja e tij direkte tek sekretari i parë i asaj kohe Manxhar Binaj, i cili i mundësoi Shyqyriut që të fillonte punë në policinë e Vlorës, punësim ky, për arsye se mos hapej ndonjë vend pune në trupën e saj, që merrej me aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike. Shyqyriu, përveç lojës së tij si aktor amator në skenën e Memaliajt, të Tepelenës dhe me gjerë, mbahet mend nga bashkëqytetarët e tij edhe si një sportdashës i flaktë i ekipit të futbollit të “Minatorit”. Shprehem kështu, pasi në kohën që ai ka punuar si polic në qytetin e Vlorës, nuk ka lënë asnjë nga sportdashësit memaliotë pa ndihmuar e madje i ka shpëtuar disa herë nga situata të ndryshme kur përplaseshin me tifozat e palës tjetër, apo arrestimeve. Shyqyri Malka është shquar për aktrimin e tij përgjatë roleve në të dy skenat më të mëdhaja të artit në Teatrin Popullor, në kohë kur studionte në shkollë. Me rolin e xha Xhezos te drama “Familja e peshkatarëve” ku ka mbrojtur edhe diplomën. Gjithashtu ka interpretuar edhe në rolet, nëpër konkurrimet që bënin shkollat e mesme të Tiranës ku zgjidheshin numrat më të mirë dhe i luanin në estradën e shtetit. Shumica e aktorëve ishin nga shkolla e tij dhe nga gjimnazet e Tiranës, ku merrnin pjesë si talente në fillimet e tyre edhe këngëtaret; Irma Libohova, Fatma Zyberin, …etj.
Në skenën e Pallatit të Kulturës së Tepelenës nuk ka luajtur, por ka vënë në skenë dy shfaqje; njëra ishte për Olimpiadën e rretheve ku e vlerësuan me vendin e parë dhe si gjithmonë bërthama e trupës ishte e përbërë me aktorët memaljotë, si Aliko Ceka, Rako Laska dhe dy vëllezërit e tij Muharremi dhe Mehdiu. Ndërsa nga Tepelena ishin Asaf Saliaj, vëllezërit Petro dhe Arqile Done, Murat Dervishi, Gjon Dervishi, …etj. Gjithashtu edhe në e Olimpiadën e Ushtrisë, e prezantuan shumë mirë, ku fitues doli brigada e Tepelenës.
Shyqua kishte një talent të veçantë në aktërim, pasi nga vet natyra e tij e qetë dhe shpërthimet përgjatë lojës së tij në role të ndryshme, e bënte atë më tërheqës. Edhe nga koha që ka udhëhequr si rregjizor, ka qënë i përkushtuar në maksimum, për të dhënë dhe arritur më të mirën e çdo shfaqjeje që ai vinte në skenë.
Ndërsa Flamuri është i pesti nga vëllezërit Malka dhe nuk është marr me artin. Ai ka mbaruar shkollën e mesme për teknik miniere dhe ka punuar në thellësitë e nëntokës si gasmatës. Si të gjithë memaliotët e tjerë, ka qenë një mik i librit, një artdashës i rregullt ku mrekullohej edhe me lojën e vëllezërve të tij, kur debutonin në skenë, duke mos harruar se ishte një futbollistë i mirë i fushave të zeza memaliote, por edhe një sportdashës i flaktë i ekipit të futbollit të “Minatorit”.
Për fat të mirë, falë Facebook-t, mbas shumë vitesh m’u krijua mundësia të kontaktoja dhe të shkëmbeja korrespodenca edhe me aktorin e ish trupës së Pallatit të Kulturës së Memaliajt, Z. Rako Laska. Duke e pyetur për kontributin e kësaj trupe që ka dhënë në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të kulturës së këtij qyteti që në hapat e para të themelimit të saj, midis të tjerash ai shprehet me konsideratë të veçantë edhe për vëllezërit Malka. Ai shprehet: “Të flasësh për ish trupën, aktorët, udhëheqësit, regjizorët, solistët, drejtuesit dhe aktivitetet e saj, më duhen ditë të tëra për t’i sjell më detaje. Me pak fjalë: për të dalë tek vëllezërit Malka që ju më pyesni, po ju shpreh se unë e kam filluar rrugën e artit në vitin 1966 duke interpretuar në komedinë “14 vjeç dhëndër.” me drejtor, aktor dhe regjisor Spiro Taçi. Aty nga fundi i viteve ‘70-të fillon të aktivizohet edhe Muharremi, i cili shquhet për talentin e tij përgjatë mizaskenave dhe interpretimeve të tjera nëpër rolet të ndryshme! Këto vlera ja jepnin plastikat e veçanta të fytyrës së tij, që përfitoheshin dhe shëndroheshin sipas situatave që mbarte roli në skenë dhe tregonin atë, një aktorë me aftësi absolute dhe të jashtëzakonshme. Gjithashtu, ka dhënë kontributin e tij edhe si instrumentist me fanfarën e qytetit, i cili luante me instrumentin e Baritonit. Falë aktivizimit të tij të rregull me trupën e Pallatit të Kulturës, frymëzoi edhe të vëllanë e tij më të vogël se vetja, Mehdi Malka, i cili në sajë të talentit dhe përkushtimit të tij, por edhe të eksperiencës së aktorëve dhe regjisorëve të trupës, u formua profesionalisht duke e bërë me meritë një aktorë i kompletuar i skenës së qytetit tonë, atyre të Jugut dhe më tej! Ashtu si unë edhe Mehdini, për të ndihmuar familjen, pasi kryem shkollën 8-vjeçare u futëm në punë dhe shkollën e mesme e vazhduam natën, siç e quanim në ato kohëra. Unë kam interpretuar 35 vjet në skenë dhe e them me plot bindje se talenti i Mehdi Malkës spikaste gjithmonë e më shumë nga shfaqja në shfaqje duke u bërë mjeshtër i parodisë, skeçit, pantonimit, aktërimit në role të ndryshme nëpër drama, teatre e komedi. Me shumë finesë artistike, zotëronte dhe dinte të dilte me mjeshtëri nga situata të ndryshme që krijoheshin përgjatë shfaqjeve në skenë: qoftë përgjatë interpretimeve solo apo me aktorë të tjerë! Në atë kohë shfaqnim katër premiera në vit, pa harruar edhe shfaqjet e tjera nëpër turne. Mbaj mend përgjatë një shfaqjeje, ku po interpretonim një parodi në skenën e qytetit të Çorovodës. Parodistë isha unë, Muharremi dhe Mehdiu. Parodia titullohej “Servili i shefit.” e shkruajtuar nga poeti dhe shkrimtari i mirënjohur Dritëro Agolli. Mehdiu filloi të qante përgjatë interpretimit dhe këtë pamje e përjetuan të gjithë spektatorët që ishin duke ndjekur shfaqjen. Pa u zgjatur, sot jemi të gjithë dëshmitar, se Mehdiu është një ndër aktorët më të mirë të skenës kombëtare e sidomos si aktor i roleve tragjiko-komike. Me meritë është vlerësuar dhe dekoruar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani me Urdhërin “Mjeshtëri i Madh”. Edhe i vëllai tjetër, më i vogël, Bekim Malka, bashkë me mua kemi luajtur në fanfarën e qytetit. Bekimi luante me instrumentin Karlo. Mbaj mend që kjo fanfarë u krijua në vitin 1972 dhe shfaqjen e parë e ka dhënë në vitin 1974. Falë pasionit të tij, mësoi edhe saksofonin ku ushtrimi me pasion i këtij instrumenti, vit pas vitesh e bëri atë një saksofonist të nivelit profesionist, i cili luante gjithashtu me orkestrën e trupës, por edhe nëpër mbrëmjet dhe dasmat memaliote dhe më gjerë. Ndërsa i vëllai tjetër Shyqua, ka mbaruar një 4-vjeçar për regjizurë bashkë me Gjon Dervishin nga Tepellena dhe Agim Sadikun nga Memaliaj. Punoi për një kohë në Vatrën e Kulturës së Izvorit dhe pastaj erdhi me punë në Pallatin e Kulturës së Tepelenës.”
Për vëllezërit Malka vendosa të pyes edhe të mirënjohurin Prof. Fatmir Meçen, i cili është një figurë e mirënjohur dhe me kontribut të madh që nga fillimet e rrugës së artit në rrethin e Tepelenës e më gjerë. Kontribut ky që ka pasuruar akoma më shumë thesarin e kësaj fushe, jo vetëm në Jug, por edhe të asaj në rang kombëtar. Përgjatë bisedës telefonike, mbaj mend të më jetë shprehur si më poshtë: “Siç jeni në dijeni: kam kohë që kam filluar të shkruaj një studim historik, i cili flet për fillimet e artit dhe lëvizjes amatore për gjithë rrethin e Tepelenës. Do ta quaja një enciklopedi më vete për këtē pjesë të jetës së të gjithë atyre që kanë dhënë kontributin e tyre, energji kjo, e cila padyshim i ka dhuruar jetës dhe shpirtit artdashës tepepenas, një dinamikë të veçantë dhe larmi mbreslënëse. Në këtë studim i kam të dokumentuara dhe me detaje për këdo, ku padyshim edhe për vëllezërit Malka që nga fillimet e tyre. Pra, informacionet janë të shumta, por meqë ju po më kërkoni për të përfshirë në këtë shkrim dhe dy fjalë prej meje, shprehem se: “Mbasi mbarova shkollën e mesme të muzikës, fillova punë si shef muzike në Pallatin e Kulturës së qyteti të Memaliajt, ku koha e qëndrimit të herës së parë, ishte nga viti 1964-68. Në këtë periudhë, Muharemi, i vëllai i tyre më i madh spikaste në pantomime, skeçe dhe parodi. Po në këtë periudhë u krijua treshja e parodistëve të parë memaliotë: Muharrem Malka, Rako Laska dhe Mehdin Malka, të cilët spikasnin nga shfaqja në shfaqje, në ato vite. Edhe kur jam kthyer me punë; për herë të dytë në Memaliaj dhe kam shërbyer si udhëheqës arstisitk në vitet 1972-74, mbasi mbarova Akademin e lartë të Arteve, ishin rritur shumë profesionalisht dhe zotërues së skenës. Mehdi Malka, fal talentit, pasionit dhe përkushtimin e plotë të tij, u bë një aktor i nivelit profesionist, stad ky që e çoi atë tē vazhdonte dhe të pērfundonte studimet e larta në Akademin e Arteve të Tiranës. Si çdo udhëheqës artistik ku bëja pjesë edhe unë, ishim të përkushtuar në zbulimin e talenteve dhe të punonim po me të njëjtin përkushtim me ata, pasi shumë njerëz, nuk e kan ditur dhe nuk e kan mësuar asnjëherë, se kan qënë talent. Ne ishim si ata zbuluesit e vendburimeve të arit që niseshin nga gjetja e disa gurëve të këtij minerali të gjetur në sipërfaqe, por, pasi u fshinin batlën apo pluhurin, kuptonin se aty ishte edhe miniera e arit, pra thesarit; kjo ka ndodhur edhe me shumë aktorë dhe këngëtarë të tjerë të trupës, ku bënin pjesë edhe talentët Muharrem dhe Mehdin Malka, falë edhe pasionit dhe përkushtimit të tyre, arritën edhe suksese të mëtejshme përgjatë jetës së tyre artistike. Edhe këta më janë mirënjohës dhe e shprehin kudo dhe sa herë që takohemi.
Ndërsa Bekimi, ashtu si edhe i vëllai i tij Muharremi, iu bashkuan si instrumentist fanfarës se qytetit, e cila u themelua në Maj të vitit 1973. Bekimi ishte edhe një saksofonist shumë i mirë që bënte pjesë në orkestrën e trupës së Pallatit të Kulturës së Memaliajt por që në disa raste aktivizohej edhe me atë të Tepelenës. Vëllai më i vogël, Shyqua, ka ardhur më vonë dhe ka punuar për një kohë të shkurtër në Pallatin e Kulturës së Tepelenës.
Po e mbyll me një kujtim nga kohët e fundit që kam me Mehdi Malkën, në një nga ditët që kam vizituar Tiranën: rastësisht jam përballur me Mehdiun, i cili ishte i shoqëruar me aktorin e mirënjohur Robert Ndrenika. Kur u takuam, përgjatë prezantimit, Mehdiu iu shprehë Robertit: “Prof. Fatmir Meçe, ky është profesori im i parë.”, një gjest ky aq sa mirënjohës por edhe fisnik.”
Nëse do vazhdoj të pyes edhe aktorë të tjerë memaliotë, padyshim që kujtimet dhe vlerësimet e tyre do të jenë të shumta dhe të larmishme, si e tillë më ngelet të shprehem se: Të katër vëllezërit Malka, pa harruar edhe xhaxhanë e tyre Muharrem Malka, mbahen mend dhe vlerësohen për kontributin e tyre që kanë dhënë në skenën e qytetit, atë të rrethit dhe atë kombëtar siç është rasti i aktorit të mirënjohur Mehdi Malka!
Edmond Ismailati
New York City