E ndërsa vëmendja e opinionit publik është përqendruar tek burgosja e deputetit demokrat Ervin Salianji, një tjetër zhvillim ka ardhur nga drejtësia.
Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Apelit të Posaçëm që la në fuqi masën “arrest në burg” vendosur ndaj dy ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë nga shkalla e parë në 3 maj të këtij viti.
Trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici vendosën dërgimin e çështjes për rishqyrtim po në këtë gjykatë, por me tjetër trupë gjykuese.
Treshja e gjyqtarëve nuk mbajti të njëjtin qëndrim për Taulant Tushen, i cili ka akuzë më të lehtë se dy ish-drejtorët e tjerë.
Vendimi i Apelit u ankimua në Gjykatë të Lartë nga Redi Molla, Mariglen Qato, të cilët prej muajit mars janë në qelinë e paraburgimit për dosjen “5D”, si dhe nga Taulant Tushe, Julian Zanaj dhe Eglantina Zere.
Ndërkohë, disa ditë meë parë SPAK iu shtoi një tjetër akuzë Redi Mollës dhe Mariglen Qatos për “pastrim parash”, ndërsa për Taulant Tushen u kërkua zgjatje e veprimeve hetimore me 3 muaj, kërkesë e cila u pranua nga GJKKO.