Një projekt muze në të ardhmen për ta kthyer vendbanimin më të vjetër në Europë që ndodhet në Lin të Pogradecit, në një nga zonat arkeologjike më të vizituara jo vetëm në Shqipëri, por Ballkan e më gjerë.
Ky është një projekt i diskutuar për të ardhmen nga kryetari i bashkisë së Pogradecit Ilir Xhakolli me ekipin e arkeologëve shqiptaro-zviceranë që vijon ende atje.
“Është e rëndësishme të bëjmë diçka sepse është zbulim i madh dhe nuk mund ta kalojmë kaq thjeshtë. Në idenë time nuk është që ne të ndërtojmë kasollet, por këto që janë zbuluar të konservohen dhe të shpallen zona arkeologjike, të jenë me tabela të shpjeguara dhe po në atë zonë të jetë edhe muzeu i ri ashtu si do ta mendojmë”, tha Ilir Xhankolli.
Ndërsa për drejtuesit e ekspeditës arkeologjike Anastas Kostandini dhe Albert Hafner ky është hapi i duhur që duhet të jetë i radhës por që sigurisht kërkon kohë dhe investim.
“Për çështjen e muzeut nevojitet një kohë shumë e gjatë për projektimin dhe ndarjen e shtojcave për realizimin e muzeut, në disa raste mund të vonojë për një minimum deri në 10 vjet. Por ajo çka duhet të mendojmë është që ti ndajmë gjërat me një projekt të vogël, një të mesëm dhe një të madh”, tha Albert Hafner.
“Mendoj që mund të jetë diçka që mund të fillojë me një pikë informacioni për turistët për tu zhvilluar pastaj si ambiente ku do të depozitohen materialet e kërkimeve, punë e cila do të vazhdojë edhe për shumë vite”, u shpreh Gjipali.
“Do të ketë një njohje të plotë të gjithë punës tonë dhe zbulimit që është bërë atje me foto video dhe postera, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe realizojmë gjithçka”, shtoi Adrian Anastasi.
Vendbanimi Palafit në Buqezë të Linit sipas arkeologëve është vendi ku ka lindur bujqësia dhe bujqit e parë të cilët më pas u përhapën në të gjithë Europën, sot për sot ai rezulton si vendbanimi më i vjetër i Evropës, plot 8100 vjet më parë.