Kulturë Vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, çfarë i bën ato kaq të...

Vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, çfarë i bën ato kaq të veçanta?

Taj Mahal në Indi

Kur një vend bëhet pjesë e “Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s”, ai merr një rëndësi të veçantë.

Por, çfarë do të thotë kjo? Pse ka rëndësi? Dhe a e bën të veçantë ky fakt këtë vend? Numri i vendeve të UNESCO-s në mbarë botën është rritur gjatë 40 viteve të fundit, ku vetëm në vitin 2021 u shtuan në listë edhe 34 vende.

Origjina e mbrojtjes dhe përcaktimit të vendeve nga UNESCO

Mund të duket e habitshme, por një nga faktorët kryesorë që bëri të mundur krijimin e UNESCO-s ishte kur Egjipti vendosi në vitin 1954 që të ndërtonte Digën e re të Lartë Aswan. Kjo digë do të kishte përmbytur dhe shkatërruar tempujt ikonë të Abu Simbel në Egjipt, që janë një pjesë e rëndësishme e çdo turi turistik sot në Egjipt.

Një akt i tillë i shkatërrimit të monumenteve simbol dhe me kaq shumë histori do të ishte pothuajse i paimagjinueshëm sot. Por periudha e viteve 1950 ishte faza e hershme e përpjekjeve të ruajtjes së trashëgimive kulturore. Për fat të mirë, në vitin 1959, qeveritë e Egjiptit dhe të Sudanit i kërkuan UNESCO-s që t’i ndihmonte për mbrojtjen dhe shpëtimin e këtyre monumenteve.

Abu Simbel

Në vitin 1960, UNESCO u përgjigj dhe komplekset e tempullit të Abu Simbel dhe Philae u zhvendosën në një vend tjetër, ndërsa qindra vende u gërmuan dhe mijëra objekte u gjetën dhe u dërguan në vende të sigurta, përpara se toka të përmbytej.

Ky projekt u konsiderua një histori suksesi dhe solli përpjekje të tjera për të mbrojtur vende të ndryshme në mbarë botën – si rasti i Venecias në Itali dhe Mohenjo-Daros në Pakistan.

Venecia në Itali

Pas kësaj, u krijua një konventë formale për të identifikuar dhe për të mbrojtur vendet historike në të gjithë botën. Pothuajse çdo vend e ka nënshkruar këtë konventë – vetëm katër vende nuk e kanë nënshkruar atë: Lihtenshtejni, Nauru, Somalia dhe Tuvalu.

UNESCO dhe vendet e trashëgimisë botërore

Çfarë është një vend i trashëgimisë botërore? Një Vend i Trashëgimisë Botërore është një pikë referimi ose zonë së cilës i është dhënë mbrojtje ligjore nga një organizatë ndërkombëtare që administrohet nga UNESCO.

Ata thonë se: “Për t’u përfshirë në Listën e Trashëgimive Botërore, vendet duhet të kenë vlera të jashtëzakonshme universale dhe të plotësojnë të paktën një nga dhjetë kriteret e përzgjedhjes.”

Vendet anembanë botës përcaktohen si pjesë e trashëgimisë botërore për rëndësitë kulturore, historike, shkencore dhe disa faktorë të tjerë. Vendi duhet të jetë një pikë referimi unike që është e identifikueshme gjeografikisht dhe historikisht dhe ka një rëndësi kulturore ose fizike.

Këto vende mund të jenë gjeografike dhe ekologjike, si për shembull pyjet dhe shkretëtirat, ​​ose mund të jenë të krijuara nga njeriu, si rrënojat e lashta ose ndërtesat, qytetet ose monumentet historike.

Për t’u përfshirë në listë, vendi duhet të jetë me “vlera të jashtëzakonshme universale” dhe të plotësojë të paktën një nga dhjetë kriteret e UNESCO-s.

Machu Picchu, Peru

Nga ana kulturore, gjashtë kriteret janë: duhet të përfaqësojë një kryevepër të një njeriu gjeni që e ka krijuar atë, të shfaqë një shkëmbim të rëndësishëm të vlerave njerëzore, të japë të paktën një dëshmi të veҫantë për një qytetërim që është zhdukur, të ketë një lloj të jashtëzakonshëm ndërtimi, ansambli arkitektonik ose teknologjik që ilustron një fazë të rëndësishme të historisë së njerëzimit, të jetë një shembull i shquar i vendbanimeve tradicionale të njerëzve ose i mënyrës së jetesës, ose të jetë i lidhur drejtpërdrejt ose në mënyrë të prekshme me traditat e jetesës.

Vendet e UNESCO-s sipas numrave

Deri më tani, vendet e mbrojtura nga UNESCO-s ndodhen në 167 shtete të ndryshme, ku Italia ka numrin më të madh të vendeve të trashëgimisë kulturore në këtë listë.

Numri i vendeve të trashëgimisë botërore të UNSECO-s:

Gjithsej: 1,154

Vende të trashëgimisë kulturore: 897

Vende të trashëgimisë natyrore: 218

Vende me tipare të përziera: 39

Sot ka mbi një mijë vende të mbrojtura në mbarë botën, ku numri më i lartë ndodhet në Europë. Pavarësisht nga madhësia dhe historia e saj, India ka vetëm 40 vende (duke u renditur në vendin e gjashtë), ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë vetëm 24 dhe renditen në vendin e 12-të.

Qendra historike e Romës

Shtetet me më shumë vende të trashëgimisë botërore:

Italia: 58

Kina: 56

Gjermania: 51

Franca: 49

Spanja: 49