Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u bëri thirrje të mërkurën vendeve të Bashkimit Europian që të ndërmarrin “hapa konkretë” për të zhvilluar lidhjet me Turqinë, një kandidate për anëtarësim në BE, si dhe për të patur një qasje strategjike në marrëdhëniet mes tyre.
“Ne kemi treguar pozicionin dhe përpjekjet tona parimore në favor të dialogut dhe diplomacisë për të zbatuar axhendën pozitive”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Turqi.
“Që tani e tutje, BE-ja duhet t’i qaset marrëdhënieve me vendin tonë nga një perspektivë strategjike dhe të ndërmarrë hapa konkretë”.
Turqia ka qenë një vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 1999 dhe negociatat e saj të pranimit filluan në 2005, por kandidatura e saj është ngrirë në vitet e fundit.
“Interesat e vogla të disa vendeve anëtare nuk duhet të lejohen të dobësojnë marrëdhëniet BE dhe BE-NATO”, tha ai.
Ai nuk përmendi specifikisht asnjë shtet anëtar, por Turqia vitet e fundit ka akuzuar si Greqinë ashtu edhe administratën greke qipriote për bllokimin e ofertës së Turqisë në BE për arsye politike dhe për dobësimin e NATO-s duke formuar një “aleancë brenda Aleancës”.
Presidenti i Turqisë tha se me Spanjën kanë bërë një aeroplanmbajtëse, nisja e së cilës tashmë ka përfunduar dhe se po bashkëpunojnë edhe për një ndërtimin e një nëndetëseje.
Kryeministri i Spanjës theksoi se marrëdhëniet dypalëshe mes Spanjës dhe Turqisë kanë arritur një nivel të jashtëzakonshëm.
“Ne duam që Turqia të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Turqia nuk është vetëm një fqinj, ajo është një aleat i përbashkët për BE-në”, tha Sanchez.
Erdogan mirëpriti Sanchez të mërkurën dhe një pritje me nderimet më të larta shtetërore u mbajt në Pallatin Presidencial në Ankara. Ata zhvilluan një takim pas së cilës morën pjesë në samitin e 7-të të qeverive të Turqisë dhe Spanjës.
Turqia dhe Spanja kanë pasur tradicionalisht marrëdhënie të mira dhe kanë punuar së bashku si bashkëkryetarë të nismave të Aleancës së Qytetërimeve të OKB-së.