Sllovenia shpall zyrtarisht fundin e pandemisë koronavirus në vend, duke u bërë shteti i parë europian që merr një vendim të tillë.
Qëndrimi i qeverisë erdhi pasi autoritetet shëndetësore konfirmuan më pak se 7 raste të reja me Covid-19 në ditë për 2 javët e fundit.
Tashmë me masat e reja, personat që mbërrijnë në Slloveni nga vende të tjera të Bashkimit Europian nuk do të jenë të detyruar të qëndrojnë në karantinë për të paktën 7 ditë, siç parashikohej në udhëzimet e vendosura në fillim të prillit, thuhet në një njoftim të kryeministrisë.
Shteti me 2 milionë banorë, që kufizohet me Italinë, Austrinë, Hungarinë dhe Kroacinë, deri më tani ka raportuar mbi 1400 të infektuar me koronavirus dhe 103 viktima.
“Sllovenia ka zbutur pandeminë gjatë dy muajve të fundit. Sot, Sllovenia ka panoramën më të mirë pandemike në Europë”, deklaroi kryeministri slloven Janez Jansa.
Shpallja e fundit e pandemisë nënkupton që disa masa, përfshirë ndihmën financiare për qytetarët dhe kompanitë e goditura nga emergjenca koronavirus, do të skadojnë në fund të majit.
Qeveria tha se qytetarët e huaj që shfaqin simptoma të infeksionit nuk do të lejohen të hyjnë në vend. Udhëzimi për vetëkarantinimin 14-ditor do të mbesë në fuqi për personat që nuk janë shtetas të BE-së, përjashtuar diplomatët dhe shoferët që transportojnë mallra.
Duke nisur nga java e ardhshme, do të rihapen shkollat, institucionet kulturore, baret, restorantet dhe dyqanet. Por sllovenët do të vazhdojnë të ndjekin rregullat bazë për të parandaluar përhapjen e infeksionit: të mbajnë maska mbrojtëse në hapësira publike, të ruajnë distancimin fizik dhe të dezinfektojnë duart sapo të hynë në ambiente publike.